Drafti për profesionet e vështira diskriminues, nuk shpërblehen minatorët e nëntokës
Sindikata e minatorëve kundërshton projektligjin e Ministrisë së Ekonomisë për trajtimin e veçantë të profesioneve të vështira, të miratuar më parë në Këshillin Kombëtar të Punës. Sipas drejtuesve të kësaj sindikate, ky draft nuk mbron interesat e minatorëve.
Klauzolat që janë vënë me kufizimet në vitet e punës gjithsej dhe vitet e punës nën tokë, që presupozojnë që nga ky ligj të përfitojnë njerëz të papunë apo që sot janë në punë të zezë, pra që nuk kanë mundësi për tu punësuar më. Faktikisht asnjëri prej tyre nuk përfiton nga kjo skemë. Kjo skemë ka dhe efekte përjashtuese dhe mungesë totale logjike e ligjore, u shpreh kryetari i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri.
Kundërshtimet
Fiqiri Xibri tha dje se ky projektligj lë jashtë tij dyfishin e minatorëve që kanë dalë në pension nga reforma pas viteve 90 dhe ata që punojnë ende në nëntokë. Kreu i sindikatës pretendon se nuk janë përshirë në projektligj kërkesat e minatorëve. Minatorët kërkojnë nga qeveria që të ulet në bisedime dhe të miratojë kërkesat e tyre që janë ekonomike. Të trajtohen një për një të gjitha kërkesat, qeveria të ulet në bisedime, tha Xibri. Dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali deklaroi se në asnjë vend të botës nuk ekziston statusi për profesionet e vështira, por vetëm trajtim i veçantë për to. Projektligji parashikon si trajtim për këtë kategori personash një pagë jo më të vogël se pensioni minimal dhe jo më të madhe se dyfishi i pensionit minimal. Pjesa e shtesës do të llogaritet mbi bazën e kategorisë së vështirësisë së profesionit. Ndërkohë që shtesa mbi pagën do të ketë efekte financiare nga momenti i miratimit të ligjit deri në daljen në pension të përfituesit. Ndërsa pensioni do të llogaritet në bazë të skemës së sigurimeve shoqërore. Lista e profesioneve të vështira është klasifikuar me vendim të Qeverisë bazuar në eksperiencën e vendeve të huaja. Drafti është në fazën e paraqitjes për diskutime në Qeveri.
Profesionet e vështira
Punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin konsiderohen ato që kryhen në ambiente që kapërcejnë kufijtë e lejueshëm të faktorëve të dëmshëm për shëndetin, të cilët përcaktohen në dispozita të veçanta ose në norma të detyrueshme higjieno-sanitare. Qeveria ka miratuar dhënien e shtesës për punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin. Shtesa mbi pagë, që merret nga punonjësit e punëve të vështira, mbështetet në rezultatet e studimeve të ambientit që kryhen nga institucionet e autorizuara për këto lloj studimesh. Në rastet kur punonjësit i takojnë të marrë më shumë se një shtesë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, shtesat jepen për çdo rast. Ndarja e punëve sipas shkallës së vështirësisë dhe dëmshmërisë për shëndetin është përcaktuar në 4 shkallë.
Pensionet
Përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenë 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion, bëjnë të ditur burime nga grupi i hartimit të draftit. Sipas të njëjtave burime për fondin kontribuojnë punëdhënësit, punëmarrësit, sindikatat dhe qeveria me dy për qind të rentës minerare. Projektligji premton pension minimal si dhe një pagesë shtesë për vështirësinë në punë, e cila do të varet nga fondet që qeveria do të mbledhë prej disa kontribuuesve. Synimi final i Ministrisë së Financave mbetet që kjo reformë të mos kërkojë angazhim shtesë nga buxheti i shtetit. Por fondet që pritet të mblidhen, duket se do të jenë të vogla. Renta minerare paguhet nga kompanitë që shfrytëzojnë nëntokën dhe varion nga 4 në 10 për qind të të ardhurave të kompanive. Gjatë vitit të kaluar, nga kjo taksë u arkëtuan afërsisht 16 milionë dollarë. Dy përqindëshi që qeveria ka vendosur të ndajë mënjanë, pritet të jetë rreth 320 mijë dollarë në vit. Nga propozimi pritet të përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që dolën të papunë nga rrëzimi i sistemit komunist njëzet vjet më parë, të cilëve u bie të marrin nga renta minerare rreth 8.9 dollarë në muaj më shumë se sa pensioni minimal, i cili aktualisht është 100 dollarë në muaj.
Ornela Manjani