E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Po eksportojmë energji me çmim të lartë

Nisur nga situata e mirë hidrike në vend, KESH do të vazhdojë të shesë energji tek fqinjët. Ministri Ruli ka deklaruar se eksporti drejt Greqisë, që ka nisur prej disa ditësh po bëhet me çmim më të lartë sesa energjia që po importohet për të furnizuar vendin. 

TIRANE- Ministri i Energjetikës Genc Ruli, ka zbardhur termat me të cilat po i shitet prej disa ditësh energjia elektrike Greqisë. Eksporti ka nisur që më datë 22 janar dhe parashikohet të zgjasë rreth një muaj. Bëhet fjalë për një sasi energjie prej 200 megavat, e cila sipas ministrit Ruli, po shitet me një çmim shumë të favorshëm se ai me të cilin importohet aktualisht për të furnizuar vendin.
Falë ndryshimeve të bëra në kuadrin ligjor, KESH-i do të vazhdojë shitjen e energjisë elektrike, si një mënyrë për të përmirësuar edhe gjendjen financiare. Përveçse me Greqinë, korporata do të zhvillojë një ankand, nëpërmjet së cilit do të synojë të eksportojë një sasi tjetër energji me çmim të leverdisshëm.
Ministri Ruli ka deklaruar se ankandi për eksportin e energjisë pritet të mbyllet ditën e enjte, kur do të mësohet se cilit vend do t’i shitet energjia dhe me çfarë çmimi. Situate e mirë hidrike po ndihmon KESH-in që në këtë periudhë të shesë energji për të krijuar fonde, nëpërmjet së cilave do të mbulojë humbjet. Paralelisht do të vazhdojë importi i energjisë, që sipas deklaratave të ministrit Ruli do të vijë duke u ulur gjatë ditëve të ardhshme. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›