E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Po prodhojmë mijëra fidanë cilësorë autoktonë

Në një vizitë të bërë në këtë qendër, që është një prej më moderneve në vend, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vuri në dukje se bujqësia shqiptare dhe fermat janë modernizuar duke arritur standarde të vendeve të zhvilluara.

Në vizitën e bërë në serën e QTTB Vlorë, ministri u informua se qindra fermerë kanë kërkuar që të furnizohen me fidanët që prodhohen në mënyrë shkencore dhe garantojnë cilësinë në prodhim. Sipas drejtuesve të QTTB-së në vitin 2011 janë prodhuar rreth 100 mijë fidanë të varietetit Kalinjot, të gatshëm për tu mbjellë, në fund të vitit 2012. Ndërsa për vitin 2013, do të jenë gati për mbjellje rreth 120 mijë fidanë ulliri. Me një investim prej 1 milion dollarë të bërë muajt e fundit, QTTB është modernizuar tërësisht duke arritur të prodhojë dhe ruajë varietetin gjenetik të rreth 146 pemëve frutore, rreth 130 llojeve të hardhive, mbi 50 kultivarëve të ullirit.

“Qendrat e Transferimit të Teknologjisë janë një nga hallkat e rëndësishme të sistemit shtetëror në fushën e bujqësisë. Kanë një rol të pa zëvendësueshëm. Së pari janë qendra të shkencës agroteknike të aplikuar. Luajnë një rol  të madh sidomos në momentin që jemi, ku vihen re prirje të modernizimit të prodhimit bujqësor, këto qendra kanë rol të pa zëvendësueshëm në ndihmë të drejtpërdrejtë të fermerit, për të kuptuar cilat janë ndihmat, teknologjitë e reja që ata do të përdorin në gjithë procesin e tyre agro-prodhues. Janë qendra të mirëfillta shkencore ndonëse nuk po bëjnë vetëm kërkime laboratorike, por kanë kërkime të aplikuara në funksion të drejtpërdrejtë të prirjeve të bujqësisë tonë. Ne po mundohemi të aplikojmë një dimension të ri në këto qendra, që është dimensioni i kthimit në aktivitete prodhuese, sidomos në prodhimin e farërave dhe fidanëve. Këto qendra janë ruajtëse të resurseve gjenetike, të varieteteve dhe kultivarëve.

Duhet të bëjmë çmos që të bindim dhe fermerin që prodhimet dhe fidanët që nxjerrim nga këto qendra janë të cilësisë së lartë. Për këtë arsye ne kemi bërë një investim të konsiderueshëm publik, rreth 1 milion dollarë me të cilin është ngritur fidanishtja e Ullirit këtu në QTTB-në e Vlorës dhe ajo në Universitetin Bujqësor. Këto dy fidanishte do të kenë si orientim prodhimin për kultivarët vendas, të kultivarëve shumë cilësore por dhe të kultivarëve të tjerë që do të mund të realizohen nëpërmjet programit të ullirit. Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore në Vlorë ka pasur një rol të veçantë në gjithë përgatitjen e Projektit Kombëtar të Ullirit. Në këtë fidanishte prodhohen në mënyrë shkencore, masive dhe të garantuar fidanë cilësore që i përshtaten zonave të vendit tonë”, tha ministri Genc Ruli.

Në fshatrat e Vlorës, ministri i Bujqësisë, ka vizituar dhe disa fabrika të prodhimit të Vajit të Ullirit. Këta prodhues, lëndën e parë e marrin në kodrat përreth Vlorës dhe fshatrat e kësaj zone dhe arrijnë të prodhojnë vaj cilësor. Fabrikat kanë arritur që të çertifikohen me standardet BIO dhe arrijnë të eksportojnë me sukses në vendet fqinjë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vaji i Ullirit “Extra Vergine” është një prej prodhimeve shqiptare më të kërkuara si në tregjet vendase ashtu dhe në ato të huaja. Drejtues të fabrikave në Vlorë thanë se aktualisht prodhimi “Made in Albania” është në sasi jo të mëdha, por ka standarde të larta cilësie, çka e bën një prej më të kërkuarave në tregjet e huaja.

Të dhëna për QTTB Vlorë

QTTB Vlorë ka një sipërfaqe prej 59 hektarë, prej të cilave 26 hektarë konsiderohet “Bankë germoplazmë”, një pasuri kombëtare, në të cilën janë mbjellë një numër i madh i resurseve gjenetike të pemëve frutore, ulli, hardhi, agrume.
•    Koleksioni pemë frutore 146 kultivarë të huaj .
•    Koleksioni hardhi  57 kultivarë të vendit dhe 86 kultivarë të huaj.
•    Koleksioni  i ullirit 22 kultivarë të vendit dhe 30 kultivarë të huaj.
•    Koleksioni autokton i pemëve frutore me një sipërfaqe 1 hektar me 125 aksesione të rreth 17 specieve.
•    Pemëtoret mëmë të pemëve frutore me një sipërfaqe prej 5 hektarë
•    Pemëtore mëmë e ullirit me një sipërfaqe prej 4 hektarë me kultivarin Kalinjot
/Start/

                                                                                             2012-07-28 13:59
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›