E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Rama e nisi zyrtarisht fushatën elektorale duke gënjyer”

25-05-2013 / Gazeta 55

Reagon ministri i Bujqësisë, Genc Ruli pas akuzave të kreut të PS


Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli reagoi pas deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama duke theksuar se, “Edi Rama e nisi sot zyrtarisht fushatën elektorale duke gënjyer”. Në rrjetin social “Facebook”, Ruli shprehet se “ai tha sot se në Shqipëri, nuk ka asnjë shkollë profesionale që përgatit specialistë të tokës. E vërteta është se në Shqipëri ka 11 shkolla profesionale që përgatisin specialist të zotë për çështjet e tokës”. Sipas tij, “irracional si gjithnjë, Rama nuk zhgënjeu as ditën zyrtare të nisjes së fushatës. Ai shpiku dhe sajoi nga salloni i tij mavi, dhe i serviri publikut dokrrat e radhës”. “Specialistë për tokën sot përgatiten në shkollën e mesme profesionale në Bushat; shkollën e mesme veterinare Shkodër, në shkollën e mesme profesionale në Lezhë, në Peshkopi, në Golem, në Kamëz, në Lushnje, Fier, Cërrik, Berat, në shkollën e mesme profesionale në Korçë, Vlorë dhe në shkollën e mesme profesionale në Gjirokastër”, nënvizon ministri. Ai bën të ditur se,  “aktualisht, janë 4 mijë studente në këto shkolla profesionale, që do të jenë nesër specialiste të tokës. 3 nga këto shkolla, e Peshkopisë e Vlorës dhe e Gjirokastrës janë hapur gjatë këtyre viteve”. “Partia Demokratike do të zgjerojë edhe më shumë arsimin profesional në Shqipëri, dhe do të modernizojë shkollat ekzistuese. Ne kemi specialistët e duhur në çdo fushë zhvillimi. Për fat të keq, kemi specialist edhe në fushën e sajimit dhe gënjeshtrave, dhe ky është z.Edi Rama. Por shqiptarët dinë t’i tregojnë vendin gënjeshtarëve dhe këtë do ta bëjnë me 23 qershor”, përfundon Ruli.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›