E Shtunë, 31 Tetor 2026

E hëna, një mundësi e mirë që opozita të zhbllokojë 3 ligjeve dhe të propozojë 3 anëtarët e KQZ

25-05-2013 / Gazeta 55

Mazhoranca ka thirrur të hënën seancën plenare për miratimin e 3 ligjeve të integrimit, pas shenjave për zhbllokim që ka dhënë opozita, ndërkohë që mirëpritet edhe ndërprerja e bojkotit të saj ndaj KQZ-së. Për të lëvizur ngërçin e zgjedhjeve, në fillim të javës, rivjen në Tiranë, Drejtori për Europën në DASH, Xhonatan Mur

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu shpreson që partitë politike të shfrytëzojnë mundësinë e mbledhjes së Parlamentit ditën e hënë, qoftë për votimin e tre ligjeve apo situatën në KQZ.  “Sot është dita e parë e fushatës, por mesa duket ajo ka nisur. Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet dhe konstituimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi”, iu përgjigj ambasadori interesit të gazetarëve, nëse ai kishte mesazh për ditën e parë të fushatës zgjedhore. Këto deklarata Arvizu i bëri pas vizitës në Gjykatën Kushtetuese ku u takua me kreun e këtij institucioni, Bashkim Dedja. Në prononcimin për mediat pas takimit, ambasadori amerikan vlerësoi se forca e çdo demokracie mbështetet në efektivitetin e drejtësisë. Me këtë rast, Arvizu vlerësoi rolin e Kushtetueses “për drejtësinë në vend”, ndërsa shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-së për punën që kryetari i saj dhe vetë gjykata po bëjnë. “Para së gjithash kam njohur zotin Dedja para disa kohësh. Por në fakt më është dashur shumë kohë të vija këtu për një vizitë zyrtare. Zoti Dedja më ofroi ftesën dhe kemi folur për rolin që gjykata luan. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për rolin që ai luan dhe bën për drejtësinë në vend gjithashtu kam shprehur mbështetjen e fortë që SHBA bën këtu. Dhe besoj se në fakt forca e çdo demokracie mbështetet në efektivitetin e ndarjes së çdo pushteti”, theksoi Arvizu. 
DASH, Jonathan Moore sërish në Tiranë/Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në KQZ, e cila po funksionon vetëm me 4 anëtarë. Javën e ardhshme në Tiranë pritet të mbërrijë sërish Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Socialistët pretendojnë se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, mund të riparohet vetëm me një riformatim të Komisionit Zgjedhor. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin zgjedhor. Siç njofton “Zëri i Amerikës”, çështja e KQZ-së pritet të jetë pjesë edhe e bisedimeve të Drejtorit për Europën Qendrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore, i cili parashikohet të rikthehet në Tiranë, në fillim të javës, pas afro një muaji nga vizita e tij e fundit e cila përkoi pikërisht me lëvizjet në Komisionin Qendror.  Të hënën, sipas asaj që njoftoi publikisht edhe nga kryeministri Berisha, parlamenti pritet t’i japë zgjidhje një tjetër ngërçi, i cili pati pasoja të drejtpërdrejta në procesin e integrimit europian të vendit. Akti i fundit i deputetëve pritet të jetë votimi i dy ligjeve dhe reformës parlamentare të kërkuara nga Brukseli si kusht për të rekomanduar dhënien e statusit kandidat. Palët duket se kanë rënë dakord me propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që ato të miratohen, por të hyjnë në fuqi në shtator.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›