E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Taksa proporcionale po kundërshtohet nga të gjithë

GJIROKASTER- Shëndetësia është një sektor mjaft i rëndësishëm dhe do të vijohet të punohet edhe më tej për maksimizimin e të gjitha shërbimeve në këtë sektor. Në këto 8 vite kemi arritur mjaft progres për funksionimin si një sistem modern në shërbim të qytetarëve. Kështu ka pohuar kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës, Genc Ruli gjatë një takimi me mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë.

Duke vlerësuar arritjet dhe reformat e ndërmarra në këto vite që modernizuan shëndetësinë, zoti Ruli ka përmendur modelin që po përdoret sot në vend, i cili sipas tij mbulon me shërbime shëndetësore të gjitha shtresat e shoqërisë. Gjate bashkëbisedimit me bluzat e bardha, kandidati Ruli ka pohuar se po të vihen në raport krahasues, ajo ç'ka është bërë në 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike është shumë herë më lart se ajo që u bë nga Partia Socialiste për dy mandate. Më tej, gjatë bashkëbisedimit zoti Ruli është ndalur edhe te debatet e lindura së fundmi, mbi deklarimet zyrtare të PS-së për aplikimin e taksës progresive. Ne ka pohuar zoti Ruli kemi aplikuar taksën e sheshtë si një mundësi për të gjitha bizneset si dhe për t`i dhënë më shumë frymëmarrje ekonomisë së vendit. 

“Heqja e TVSH-së në një pjese të madhet inputeve, sidomos te ato të sektorit bujqësor, heqja e taksave doganore mbi makineritë bujqësore janë mekanizmat që kanë synuar në nxitjen e biznesit të vogël, të mesëm apo të madh, i cili është motori i ekonomisë. Është ky biznes që krijon vende pune, krijon fitim, që krijon depozita bankare apo merr kredi dhe investon. Taksa e sheshtë është favori më i madh për personat, bizneset dhe ekonominë. Nuk e zgjodhëm sepse ishte e thjeshtë, por se ishte e ulët. Nga 25 % që ishte tatim fitimi ne e bëmë 10, dhe mendoni se çfarë lehtësie e madhe ishte për biznesin”, - tha Genc Ruli në takimin me mjekët dhe infermierët. Punonjësit e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” kanë biseduar me deputetin Genc Ruli dhe për sistemin fiskal, për nivelin aktual të taksimit dhe atë që propozohet. ““Ndershmëria” e proporcionalitetit tingëllon e bukur, por kjo që mendon të aplikojë PS u kundërshtua direkt nga qytetarët dhe grupet e biznesit. Ata, drejtues të bizneseve, menaxherë dhe aksionerë, në të gjitha takimet që kanë bërë janë shprehur qartë: Taksën e sheshtë mos na e lëvizni”, - tha gjatë takimit Genc Ruli. 

Mjekët e spitalit rajonal "Omer Nishani", pasi kanë vlerësuar arritjet dhe ndërhyrjet që kanë sjellë përmirësimin e infrastrukturës, vendosjen e pajisjeve të reja, si ajo e dializës, skanerit etj, kanë kërkuar shtimin e numrit të personelit, pasi me rikonstruksionin e spitalit dhe pajisjeve të reja ka lindur nevoja për më shuam staf. Për këtë shqetësim të ngritur nga deputeti Genc Ruli, është marrë angazhim serioz për plotësimin sa më parë të kësaj kërkese.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›