Ruli në Tepelenë: Politika e Ramës, “Uri e Re” jo “Politikë e Re”

Ministri i Ekomonisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe deputet i qytetit të Gjirokastrës, Genc Ruli, deklaroi mbrëmë në një takim me banorët e fshatit Qesarat, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, se, "Politika e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës nuk është politike e re, por "uri e re" për të ndarë pasurinë e vendit, pasi ai është një karierist i ri, por kurrësesi një politikan i ri”. Sipas Rulit, është krejt normale që qeveria e djathtë të bëjë një rezume të punëve të saj në përfundim të mandatit, pasi është një standard i ri i komunikimit me zgjedhësit që dhanë votën katër vjet më parë. “Gjatë këtij mandati qeveria ka bërë shumë, ndërkohë që të tjerët nuk i bënë gjatë 8 vjetëve”, tha ministri Ruli. Për të, "politika e re, është ajo që i shërben më mirë qytetarit për shkolla, arsimimin e fëmijëve dhe që afron Shqipërinë më shpejt me Europën. Huqi i vjetër nën një lëkurë të re nuk është zgjidhje. Edi Rama në grazhdin e së majtës ka ngrënë, ndërkohë që tani nuk njeh askënd, por po na bën politikë të re”. Më tej, Ruli u ndal tek politikat qeverisëse, pagat, pensionet, ndërsa i kushtoi rëndësi të veçantë, investimeve të realizuara në këto 4 vjet, veçanërisht në fshat, rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime. Ai siguroi banorët e fshatit Qesarat, se asnjë vepër sado e rëndësishme, nuk mund të ngrihet, duke abuzuar mbi pronën e tjetrit. “Çmimi i tokës diktohet nga çmimet e tregut dhe nuk vendoset apriori”, j'u përgjigj interesit të banorëve, Ruli. Gjithashtu, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, zhvilloi një takim edhe me banorët në komunën e Kurveleshit, ku u përqendrua kryesisht në problematikën që hasin zonat e thella, si në infrastrukturen rrugore, në shërbimet që afrohen në arsim, shëndetësi, etj.
...