E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumani, Kushtetuesja vendos fatin e“Basescu”

Gjykata Kushtetuese në Rumani do të vendosë më 31 gusht mbi vlefshmërinë ose jo të referendumit të mbajtur së fundmi mbi shkarkimin e presidentit Trajan Basescu.

Në këtë mënyrë, institucioni gjyqësor do të lërë vendin pa kryetar shteti të paktën edhe për disa javë, njoftojnë mediat rumune.

Konsultimi elektoral u kërkua nga koalicioni qeverisës i qendrës së majtë, i udhëhequr nga kryeministri Victor Ponta, që e akuzon Basescu-n se ka shkelur Kushtetutën duke i dhënë vetes kompetenca që s`i takonin.

Presidenti rumun, ashtu siç pritej, i mbijetoi referendumit për shkarkimin e tij. Arsyeja e triumfit të kreut jo fort popullor të shtetit ishte pikërisht mosarritja e pragut të pjesëmarrjes, që bëri votimin të vlefshëm.

Nga 50% plus 1 që duhet të ishte niveli i pjesëmarrjes, ai nuk mbërriti më shumë se 45.9%. Basescu, i pezulluar nga parlamenti, u kishte kërkuar mbështetësve të tij ta bojkotonin votimin, ndërsa nismën për rrëzimin e tij e cilësoi një veprim hakmarrës me prapavijë politike. Pas rezultatit të referendumit, ai deklaroi se me votën e tyre, rumunet votuan për vendin e jo per të.

"Rumunet votuan të pakët në numër, ashtu siç ua diktoi ndërgjegjia. Shumica qëndruan në shtëpi. Përmes këtij veprimi, ata shprehën vullnetin e tyre, konsoliduan idenë se Rumania nuk mund të kthehet në një shoqëri të drejtuar nga tekat e dikujt, pa rregulla, pa norma, në një shoqëri të qeverisur prej një grupi politikanësh që vendosin fatin e të gjithë rumunëve", tha Basescu.
Basescu deklaroi gjithashtu se nuk mund të japë dorëheqje pasi është president i suspenduar.

“Duhet të jem në funksion për të dhënë dorëheqje. Unë jam president i suspenduar dhe si i tillë nuk mund të jap dorëheqje”, iu tha Basescu gazetarëve, duke shtuar se që nga sot do të vazhdojë të mbajë fjalime dhe të udhëtojë nëpër vend.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›