Rumani,Kushtetuesja vendos për pezullimin e Basheskut

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mbështeti vendimin e Kuvendit për pezullimin nga detyra të presidentit Trajan Bashesku.
Gjykata vendosi se kryetari i ri majtë i Senatit, Crin Antonesku, do të jetë ushtrues i detyrës së presidentit deri në referendumin e 29 korrikut, kur vendoset nëse Bashesku do të shkarkohet.
Megjithatë, gjykata ende duhet të vendosë nëse amendamenti i paraqitur nga qeveria e majtë e kryeministrit Viktor Ponta është kushtetues.
Amendamenti lehtëson shkarkimin e presidentit përmes referendumit, pasi kërkohet që për këtë të votojë vetëm shumica e atyre që marrin pjesë në votim.
Më parë duhej shumica e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.
Nëse gjykata vendos se amendamenti është antikushtetues, referendumi mund të anulohet.
Votimi i parlamentit për largimin e Basheskut ka nxitur kritika të gjerë ndërkombëtare.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se kjo lëvizje është “e papranueshme”, dhe “shkel parimet themelore të sundimit të ligjit”.