Rumania bojkoton samitin për shkak të Kosovës
Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, nuk do të marrë pjesë në takimin e shefave të vendeve të Evropës Qendrore dhe të Evropës Juglindore në Varshavë, për shkak të vendimit të nikoqirit për të ftuar edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Duke pasur parasysh se nikoqirët e këtij takimi të sivjetmë në Varshavë kanë vendosur që të ftojnë një etnitet të cilin Rumania nuk e pranojnë si shtet, presidenti Trajan Basesku nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje”, ka thënë të mërkurën zëdhënësi i presidentit, Valeriu Curkan.
Zyra e presidentit rumun deri më tash zyrtarisht nuk ka bërë të ditur se Basesku nuk do të shkojë në samitin në Varshavë, por i pyetur nga gazetarët zëdhënësi i presidentit ka dhënë deklaratën lidhur me këtë.
Rumania është njëra nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që vazhdon të hezitojë të njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.