Kartat, Rama takon trojkën, PD drejt tërheqjes
Ndërkombëtarët angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje. Rama paraqet paketën e PS-së për kartat. PD-ja drejt shpërndarjes së kartave me një shumë simbolike
TIRANË- Ngërçi për kartat e identitetit duket se po shkon drejt zgjidhjes. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, i përfaqësuar në Shqipëri, ashtu si edhe për çdo debat tjetër të rëndësishëm, duket se ka dhënë efektet e veta të para.
Pas një hezitimi të gjatë, mazhoranca qeverisëse duket se është tërhequr nga qëndrimi i deritanishëm, për të pranuar tanimë bashkëpunim me opozitën në gjetjen e një zgjidhjeje imediate për intensifikimin e procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaporta me karta identiteti, si mundësia e vetme për të shpëtuar procesin e ardhshëm zgjedhor.
Shenjat e para të zbutjes së këtij qëndrimi janë bërë prezente nga takimi i zhvilluar dje i ambasadorëve Xhon Withers, Robert Bosh dhe kreu i përfaqësisë së Bashkimit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, me kreun e Bashkisë së kryeqytetit, Edi Ramën, në zyrën e këtij të fundit në bashki.
Një ditë më parë, ambasadorët kishin zhvilluar takim për çështjen e kartave me Kryeministrin Sali Berisha, nga i cili duket se kanë marrë disa garanci për të lëshuar pe në disa çështje shqetësuese, që ngre opozita.
Negociatat
Kriza politike që ka shkaktuar ecuria e deritanishme e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ka angazhuar edhe një herë trupin diplomatik në Tiranë në gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve kryesore politike në vend.
Pasi janë takuar një ditë më parë me Kryeministrin Sali Berisha, dje, Trojka Europiane dhe ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, kanë bujtur në zyrën e kreut të opozitës, i cili mban njëkohësisht dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, për të diskutuar rreth mundësisë së gjetjes së një zgjidhjeje që do të shpëtonte më pas edhe procesin zgjedhor nga dështimi.
Megjithëse vetë kryebashkiaku Edi Rama ka pohuar dje pasdite se "ky ka qenë një takim miqësor për të diskutuar për çështje të interesit të përbashkët", burime të mirinformuara kanë konfirmuar dje për "Shekulli"-n se biseda ka qenë përqendruar pikërisht tek debati për letërnjoftimet elektronike.
Kështu, Rama mësohet t'u ketë bërë të ditur diplomatëve të huaj, të cilët kanë marrë përsipër të negociojnë zgjidhjen, të gjitha pretendimet që ka opozita për këtë proces, duke dhënë një panoramë të të gjithë situatës së përgjithshme.
Gjithashtu, mësohet se kreu i opozitës u ka paraqitur edhe ambasadorëve të gjitha ato zgjidhje që Partia Socialiste ka paraqitur gjatë gjithë këtij muaji për daljen nga kjo situatë, duke vënë theksin kryesisht tek thjeshtësimi i procesit të aplikimit dhe tek shpërndarja e kartave falas.
Rama ka parashtruar propozimin që votuesi të shkojë drejtpërdrejt te stacioni i aplikimit, pa qenë i detyruar të shkojë te zyra e bashkisë, komunës, e pensioneve apo te posta.
Këtu, votuesi, sipas socialistëve, duhet të vetëdeklarojë në një dokument standard të nënshkruar prej tij, për statusin përkatës të përqasur me listat zyrtare, dokument që mbahet nga firma koncesionare dhe i paraqitet shtetit për efekt të detyrimit financiar.
Më pas organet shtetërore duhet të realizojnë në vijimësi procesin e shlyerjes së detyrimit nga shtetasit që kanë përfituar këtë shërbim kundrejt tarifës përkatëse.
Tërheqja
Të njëjtat burime kanë konfirmuar se vetë ambasadorët kanë marrë përsipër që të negociojnë përsëri me qeverinë, megjithëse kanë bërë të ditur predispozicionin e Kryeministrit për të pranuar disa nga zgjidhjet e socialistëve.
Mësohet se ata i kanë bërë të ditur Ramës pozicionimin e Kryeministrit për të pranuar dhënien e kartave të identitetit për të gjithë shtetasit pa pasaportë, kundrejt një shume simbolike, por natyrisht shumë më të ulët sesa ajo që ka tani.
Ndërkohë që, një tjetër propozim i socialistëve që është pranuar nga Berisha, ka qenë edhe ai për thjeshtëzimin e mëtejshëm të procesit të aplikimit të shtetasve për letërnjoftime elektronike.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për pranimin e propozimit që të gjitha veprimet të kryhen në një sportel. Burime nga PD-ja nuk e pohuan, por as e mohuan mundësinë e gjetjes së një kompromisi.
Megjithatë, një zgjidhje përfundimtare, këtij procesi pritet t'i jepet ditët në vijim, kur pritet dhe negocimi i një zgjidhjeje të plotë deri në detaje, negocim që tashmë duket se u përket dy partive të mëdha për ta bërë.