Miratohet marrëveshja, Greqia merr dy varreza
Qeveria miraton marrëveshjen, ku kishës greke i jepet administrimi i varrezave. Të gjitha detajet e marrëveshjes
TIRANË- Çështjet e varrezave greke në Shqipëri dhe pretendimet e vendit fqinj për zona minoritare janë rikthyer dje në vëmendje, pasi qeveria ka propozuar projektligjin për varrezat greke.
Sipas vendimit të qeverisë dhe relacionit bashkangjitur, palës greke i lejohet ngritja e dy varrezave për trupat e ushtarëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë.
Por, kjo marrëveshje vjen si "kofini pas të vjelit", sepse varrezat greke, në realitet, kanë shumë vite që janë ngritur. Ato janë sistemuar në zonat e përzgjedhura nga kisha greke dhe tashmë qeveria shqiptare bën thjesht procesin e "legalizimit" të tyre. Madje, një varrezë e re po ngrihet në zonën e Korçës.
Kërkimi
Propozimi për vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave është bërë nga Ministria e Jashtme dhe parashikon, mbi të gjitha, edhe lejimin e kërkimeve në të gjithë Shqipërinë.
"Propozimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Greko-Italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë",- thuhet në vendim. Pikërisht pjesa kërkimit, zhvarrimit dhe identifikimit është bërë shpeshherë mollë sherri mes popullsisë dhe priftërinjve grekë.
Rasti më i fundit është ai i fshatit Kosinë, ku kisha zhvarrosi eshtrat e atyre që pretendonte se ishin ushtarë grekë, ndërsa banorët pretendonin se ishin të afërmit e tyre të vdekur shumë vite më parë.
Tashmë vendimi i qeverisë u jep të drejtë shtetasve grekë që të vijnë në vendin tonë e të nisin kërkimet, pa pasur nevojë që të marrin leje.
Varrezat
Marrëveshja konsiston pikërisht në krijimin e dy varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Luftën Italo-Greke, në vitet 1940-1941, në Këlcyrë të Përmetit dhe Bularat të Gjirokastrës.
Nga ana e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, kjo marrëveshje u cilësua si një "zgjidhje e duhur" që, njëkohësisht, do të ndikojë në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë e ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë.
Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshjeje do t`i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike",- tha në atë kohë Ministria e Jashtme.
Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen, dhe numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dy vendet.
Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.
Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje, e protokolluar nga të dyja palët. E drejta e administrimit të varrezave i jepet kishës ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar të tyre.
Pikat e marrëveshjes
1. Nuk ndryshohet numri i varrezave, pra do të jenë dy varreza, në Gjirokastër dhe Këlcyrë.
2. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen.
3. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dy vendet.
4. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.
5. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje, e protokolluar nga të dyja palët.
6. E drejta e administrimit të varrezave i jepet kishës ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar të tyre.