Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për vendimin e gjykatës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përcjellë me vëmendje procesin gjyqësor të shkallës së dytë dhe shpreh brengosje për procesin e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, mirëpo është e bindur se Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur të pafajshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se Ushtria çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit, dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vetë z. Haradinaj kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, një gjë e cila po rikonfirmohet edhe në rastin aktual. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të kenë besim në drejtësinë ndërkombëtare, duke shprehur besimin e plotë se “të bashkuar do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh, për çka qeveria jep garancinë të duhur”.
#