Atdheu letrar eksperimental i Ramiz Gjinit
Nga Nju Jorku në Tiranë për të prezantuar veprën e tij të re, "Bibollasit". Ramiz Gjini, një penë e një stadi të ri në letërsinë shqipe, rrëfen një popull pa ndërgjegjen e elitës, një trup shumëgjymtyrësh pa kokë në postdiktaturë
I.
Pas pesë vëllimeve me tregime dhe romanit të parë "Rrëketë", i konfirmuar si një ndër mjeshtërit e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Ramiz Gjini vjen këtë herë me romanin e dytë "Bibollasit" (407 f, Botimet M&B, Tiranë 2010), i cili është vazhdim në frymën e romanit të parë, apo më saktë, përbën dylogjinë satirike mbi Bibollin.
Bibolli është një topos letrar alegorik i sajuar prej autorit, në akord me traditat aluduese të shumë shkrimtarëve që vendosin koordinatat e atdheut të tyre letrar eksperimental, sikundërse, fjala vjen, Yaknapatofa e Folknerit.
Është një roman që përfshin universalet absurde, nonsensin e përditshmërisë, kaosin psikologjik të një shoqërie të dalë nga diktatura. Afreska rrëfimore të rrëmben me një galeri tipash naivë, megalomanë, mashtrues, simulakër e psikopatë, por që secili bart të vërtetën e tij.
Para nesh kemi një penë mjeshtërore, një rrëfimtar të lindur, që zbulon nëpërmjet humorit të zymtë, plot poezi, diavoliadën shqiptare të kaosit individual e shoqëror. Edhe pse personazhet janë thuajse të gjithë negativë, antiepikë e kontradiktorë, këta antiheronj janë përshkruar me dhimbje, përvujtni e dashuri, një karakteristikë e hershme që i dallon të gjitha krijimet e këtij autori.
Bibolli i tij është një kategori kohë-hapësinore marrëzish saturnale, ngërdheshëse, një bashkësi që ka dalë nga ploja diktatoriale, një pluhurnajë njerëzore psikopatologjike, e cila me thërrmijat e rrënojave të diktaturës, kërkon të ngjizë planetin e vet, ekzistencën e vet autentike, të disiplinojë kaosin individual dhe shoqëror në një farë rendi e rregulli.
Duket se qyteti që shtrihet poshtë "malit të Hidrës me shtatë krenja", më parë se nën hijen e një demoni mitologjik, gjendet në grackën e një mallkimi që i vjen nga e shkuara, prej së cilës çlirohen impulse fatale, siç ndodh rëndom me shoqëritë e keqvendosura, që hedhin shtat të zi në ekzistencën e vet. Duket se vështrimi nga "mali i Hidrës me shtatë krenjë" është i vetmi horizont perspektiv që mbyllet kërcënueshëm për çdo ardhmëri shpresëdhënëse.
Ka një personazh konstant që shoqëron aktet dhe motivimet e bibollasve, një personazh që shkakton çrregullimet, anarkinë, perversitetet e përditshmërisë, që është kryeshkaku, neuroza, pengu që s'le askënd të qetë dhe që në roman ndikon si sëmundje lënguese pa shërim.
Ky personazh është mërzia e thellë. Ajo modulon formën e monologut, arsyetimit, bëhet shkak depresionesh dhe befas shpërthen në suicide qesharake mu përmidis entuziazmit të heronjve. Mërzia e thellë është një brengë e trashëguar në kodin psikogjenetik të heronjve të Bibollit.
Madje edhe marrëzitë, aventurat e trasha, sharlatanizmat, batakçillëqet - të gjitha bëmat qesharake e të turpshme të protagonistëve, sprapsen para pllakosjes së mërzisë së thellë: gazi shuhet dhe në vend të ngërdheshjes, vërshon proza e zymtë, analitike e meditative me pikëpyetjet e zeza që nxijnë brenda kokës së heronjve.
Çfarë përfaqëson letrarisht Bibolli dhe bibollasit e Ramiz Gjinit? Mua më duket se kemi të bëjmë me farsën e një utopie ideologjike shoqërore. Në thelb parodia e romanit rrok çarjen fundamentale midis ideologjisë slloganore të korrupsionit dhe praktikave të neveritshme për ta mishëruar realisht atë.
Njeriu si më parë është po ajo krijesë egoiste e ideologjizuar nën diktaturë, e cila ka përshtatur në mënyrë politkorrekte një ideologji tjetër (të demokracisë dhe lirisë), e cila është po aq shtypëse dhe e hidhur sa e para. E në këtë kuptimi kjo vepër është një model i romanit antiutopik apo utopisë së keqe.
II.
Fijet e bëmave (çka përbën dhe shtratin e historisë së "Bibollasit"), shtjellen rreth protagonistit qendror të rrëfimit, Zav Tarrotës, një hero arketipal i "popullit të madh", i pashkollë, i zgjuar e dinak, por tepër i sinqertë në heroikën e tij të përditshme për mbijetesë familjare.
Atij i duhet të përshtatet që të fitojë "bukën e përditshme" për familjen e tij të madhe, andaj, pa ndonjë profesion të qëndrueshëm, ai bën çfarë i vjen ndoresh në kushtet e "ligjit të xhunglës". Për të ideologjitë dhe bindjet politike partiake nuk kanë vlerë, nëse nuk i shfrytëzon për të siguruar ekzistencën e familjes së vet halleshumë.
Rrëfimet ndjekin njëri-tjetrin duke u derdhur në një rrjedhë dinamike, derisa ky hero "i heshtur", pasi ka shitur "enigmat e veta në trajtë pikëpyetjesh të zeza", i zbrazët e tëhuajësuar, dehet për shkak të mërzisë së thellë, bie në një gropë me beton të freskët në mes të sheshit dhe mbetet ashtu të nesërmen, i betonuar për së gjalli, përmendore e gjallë, mu në ditën kur në shesh çelet panairi i ushqimeve. Shteti, policia, feja, artistët e kundrojnë spektaklin tragjikomik, duke vënë në lëvizje mekanizmat e "shpëtimit", që janë veçse përrenj të një retorike shterpë.
Raporti i njeriut me shtetin, ndonëse në rrëfim kemi një prani të dendur e sunduese të të gjitha formave të mundshme të prezencës së shtetit. Mbetet raporti i një shprese të hedhur dëm, i një pritjeje të zbrazët, pa dalëzotës, i braktisur në një botë kërcënuese, jetime.
Pikërisht jetimësia është ndjenja zotëruese në fatet individuale, por vini re, autori përmes paraqitjes së bëmave dhe qëllimeve të tyre, na e jep të gjallë kapërthimin e gjindjes, e cila përpiqet t'i zërë frymën njëri-tjetrit, duke hapur një gropë të madhe për vete dhe të tjerët.
Ata nuk janë veçse një turmë pa ndjenjën e perspektivës, një makth i verbër që rrokulliset drejt greminës. Dhe ky qëndrim kritik i autorit, na paraqet larg formave pseudohumaniste, se nuk mund të ketë shpresë në popull, pasi ai është një koncept amalgamë i shumë heterogjene konfuzionesh. Një popull pa ndërgjegjen e elitës, është trup shumëgjymtyrësh pa kokë, pra, turmë.
III.
"Bibollasit" tipologjikisht i përket asaj paradigme të veprës satirike, që origjinën e saj e nis me stërgjyshen e gjinisë së romanit "Gargantua dhe Patagryeli" të Rabëlesë, mandej me "Don Kishotin" e Servantesit, "Shpirtra të vdekur" të Gogolit dhe më vonë, me "Shvejkun" e Hashekut. Pra formalisht ky roman është brenda një tradite klasike shekullore në formën dhe tipin e të qeshurit brenda peizazhit tradicional të kulturave gaztore popullore të Europës.
Krahasimi, vetëkuptohet, ka të bëjë me traditën e zhanrit. Në kulturën tonë letrare, nëse lëmë mënjanë minuset ideologjike, e kanë praktikuar Qamil Buxheli ("Nën hijen e Dordolecëve", "Karriera e zotit Maksut"), Kolë Jakova ("Fshati midis ujërave"), Dritëro Agolli ("Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", "Arka e djallit") deri tek Virion Graçi ("Shpata e ndryshkur", "Bijtë e zotit majmun").
Nga pikëpamja jashtëformale e të qeshurës, sigurisht, romani i Gjinit, përfshij dhe paraardhësin e tij "Rrëketë", nuk hyn në marrëdhënie krahasimore me autorët e përmendur, por shënon një stad të një ironie në letrat shqipe, e kjo është cilësia e të qeshurit me pafuqinë, sepse ironia është nëna e pafuqisë për ta ndryshuar rendin e gjërave.
Struktura narrative është e nginjur me një mori detajesh, përshkrimesh, peizazhesh psikologjike, ëndrrash, vegimesh, shajnish, dialogësh e monologësh që përimtojnë një shtresë të tretë, minimaliste e subjektive të personalitetit.
Por kemi një shtresë të katërt, që përbën një ndër risitë autentike të autorit, të cilën mund ta quajmë "dimensioni okult, demonologjik", me faktorizimin e "djajve mikroskopikë", të cilët krijojnë alibi, punojnë rrengje dhe nxjerrin fate e nga binarët. Personazhet janë të dubluar në vazhdimin e projeksionit të tyre nga djajtë e vegjël, të cilët, herë pas here e rrëmbejnë vetë në dorë rrjedhën e ngjarjeve.
Metafizika e kësaj shtrese fantastike (e cila rëndom ka qenë një truk i veprave epike popullore), është përshkallëzuar sipas një teknike surreale, me një organizim onirik të jetëve paralele, të pavarur, pasi në sasinë e shejtallëqeve të tyre, ata ngrihen në gradë shkencore, në master dhe doktor shkencash, me komisionet vlerësuese përkatëse. Duket se në realitetin bibollas, edhe bëmat e djajve janë më simpatikë se ato të njerëzve.
Përmasa demoniake ala faustiane e djajve mikroskopikë, që me emrat e tyre thellojnë karikaturën e thelbit të deformuar njerëzor, të kujtojnë suitën e personazheve të Djallit në romanin "Mjeshtri dhe Margarita" të Mihaill Bullgakovit dhe misionin e tyre në Moskën staliniste.
Në "Mjeshtri dhe Margarita" ka një epigraf nga "Fausti" i Gëtes: "...Kush je ti fundja më në fund? Unë jam pjesë e asaj force, që tërë kohën nisem të bëj keq e që përfundoj duke bërë mirë". Edhe në romanin e Gjinit ekuilibri i së Mirës dhe së Keqes është prishur, por djajtë ruajnë vetëm karakterin përqeshës "përtej së mirës dhe së keqes".
Njeriu "kapet gafil" në momentin diskret dhe atëherë pas maskës së tij, del kafsha e maskuar keq. Një vërshim i aq i fortë i kafshërores i bën një radhë episodesh romaneske të ngjashëm me monstrat e përçudnuara në pikturat e Hieronim Boshit, duke i dhënë të përpjetë elementit surreal në vepër.
Bibolli na del edhe si metaforë e qytetit të shthurur në mëkate të trashëguara, një lloj qyteti i mallkuar, i dënuar të vuajë - antiteza e qytetit të shenjtë e të bekuar, Jeruzalemit - qyteti lavire i Babilonit (gjykoni mbi ngjashmërinë Biboll - Babel - Babilon).
Gjuha e romanit është qartë, por jo e thjeshtë.
Me një organizim sintaksor të rrjedhshëm ku mbizotërojnë fjalitë me periudha të shkurtra, Gjini të ndërmend stilin e bukur klasik floberian.
Vetë shfrytëzimi i klisheve dhe idiomave përbën një humus eksperimental për efektin komik të veprës.
Një ndër personazhet që mishëron incestin frymor të diktaturës dhe postdiktaturës, ish-sekretari i partisë në brigadën e madhe të plehut, tani i bekuari hoxhë Rrahimi.
Në roman lëvizin në një rrjedhë të pleksur njerëz e djaj. Kemi vetëm një engjëll dhe ky është engjëlli Azrail, që vjen për të marrë shpirtrat.
Në fund ai vjen i maskuar si hidraulik në apartamentin e shkrimtarit Nurçe Tarrota, të cilit ia nxjerr shpirtin me tel nga hunda, e vetëm pasi e hedh në shishkë kupton se ka gabuar, duke e ngatërruar me një tjetër, por engjëlli i vdekjes nuk e vret mendjen. Pikërisht në këtë skenë kemi një pasazh të mrekullueshëm autoironik: "...
Shejtani Ibilis deshi t'ia mbushte mendjen engjëllit Azrail t'i krijonte mundësinë, që të blinte shpirtin e autorit të këtyre radhëve, por engjëlli Azrail i tha: vetëm atë shpirt mos ma kërko, sepse nuk mund ta shes kurrën e kurrës. E kam parë se si, teksa shkruan, digjet me flakë të zjarrta si ari, pa kurrfarë tymi. Kam urdhër prej vetë Zotit, që kur ta marr, ta dërgoj se s'bën drejt e në parajsë".
Nga gjithë kjo diavoliadë që parakalon nëpër 407 faqe të romanit, ia vlen, edhe pse me humor, të mbrohesh nga energjia gjuhësore e botës së krijuar, nga kjo "bombë" artistike në miniaturë. Dhe sigurisht, edhe lexuesi do ta miratojë heshturazi me kokë, të vetmen bindje të padiskutueshme të engjëllit Azrail.