Rusët preferojnë tatuazhin e "Putin"

Një studio tatuazhesh në qytetin Siberian të Omsk-ut, iu ofron klientëve të saj bio-tatuazhe të kryeministrit rus Vladimir Putin, popullariteti i të cilit është ende shumë i madh. Tatuazhi me imazhin e kryeministrit Putin mund të qëndrojë në lëkurë më shumë se dhjetë ditë. Artistja e tatuazheve Tatiana Zharova shprehet se kohët e fundit klientët duket se po preferojnë imazhe të figurave moderne në lëkurën e tyre sesa ato tradicionale. Të lodhur me portretet e Çe Guevarës, ajo filloi t'iu ofronte klientëve të saj bio-tatuazhe të kryeministrit të vendit Vladimir Putin. Tatiana thotë se portreti i Putin është mjaft popullor për momentin dhe klientët gjithashtu po kërkojnë për kuptime mistike të tatuazheve të tyre, ashtu si në vendin e lindjes së kësaj mode, SHBA. "Unë mendoj se imazhi i Putin do të ndikojë në jetët tona në të ardhmen, vecanërisht në atë timen", tha Sergei Petrov, një klient i studios së tatuve. Tatiana Zharova tregon se ka dy versione të tatuve me imazhin e Putin, një për meshkuj dhe një tjetër për femra. "Për meshkuj, ne ofrojmë një portret më të fokusuar, më serioz dhe ku Putin duket më i egër. Ndërsa versioni për femra është më tërheqës dhe romantik", thotë ajo. Sipas një sondazhi të zhvilluar në Rusi në fund të muajit nëntor të këtij viti, përqindja e popullaritetit të kryeministrit Putin ishte 74, ndërsa për Presidentin e vendit Dimitri Medvedev ishte vetëm 61 përqind.