Serwer." Kosova ka arritur sukses, i duhet kujdes me qeverisjen"

Drejtori i Iniciativës Ballkanike në Institutin Amerikan për Paqe Daniel Serwer, e ka vlerësuar vitin 2008 të suksesshëm për Kosovën. "Mirë u bë që u shpall pavarësia dhe u aprovua Kushtetuta, që 53 shtete e njohën pavarësinë, por ky numër ka mundësi të rritet", deklaroi Serwer për mediat kosovare. Serwer theksoi se qeverisja e mirë në këto momente është shumë e rëndësishme. "Ju që tashmë jeni të pavarur tregoni se dini të qeverisni, duke i trajtuar qytetaret tuaj në mënyrë të barabartë, korrekte, duke u garantuar të drejtën e sundimit të ligjit, duke siguruar se askush nuk do të keqtrajtohet sepse flet serbisht apo shqip", u shpreh Serwer. Sipas Serwerit, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e lidershipit, por e tërë qytetarëve të Kosovës, për të cilët thotë se janë sjellur shumë mirë dhe duhet të vazhdojnë të sillen, ndoshta edhe më mirë. Serwer është i mendimit se përmirësimi i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit është me rëndësi vitale për rajonin, por ai thotë se nuk do të dëshironte OKB-në në mes, sepse ajo deri më tani ka treguar se po përkrah Serbinë. Serwer tha se ka një sërë çështjesh që duhet zgjidhur në bazë të sundimit të ligjit, trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve. "Gradualisht me përmbushjen e këtyre parametrave do te jetë e pamundur për Serbinë që t'i rezistojë përmirësimit të raporteve të saj me Kosovën", tha Serwer. Sipas Serwer, edhe pse BE asnjëherë nuk ka pranuar se e kushtëzon anëtarësimin e Serbisë me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse të 27 anëtarët nuk do te pajtoheshin për këtë, 22 do të pajtohen dhe secili prej tyre ka të drejtën e vetos. Ai thotë se, kështu BE e ka peshën e nevojshme në të mirë të Prishtinës dhe në këtë drejtim edhe në zgjidhjen e çështjeve, para se Serbia të hyjë në BE. Prandaj, ai porosit liderët kosovarë që të bëjnë çmos për qeverisjen e mirë të vendit, zbatimin e standardeve të BE-së që do ta bënte të vështirë refuzimin e hyrjes së Kosovës në Bashkimin Europian. "Në një formë apo tjetër, Kosova është në garë me Serbinë, e cila do të donte të hynte në BE para Kosovës", nënvizoi Serwer.