E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruseti: Kërkesa e PS për delegacionin, përpjekje dashakeqe

Zëdhënësja e Kuvendit Suela Ruseti ka reaguar ndaj deklaratave të PS-së duke theksuar se kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Europës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit.
Sipas Rusetit rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë.
"Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky, është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës" theksoi Ruseti.
Sipas saj kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se, nëse në Legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj rradhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues.
"Atyre që shohin me kënaqësi sfidën e kredencialeve, u bëjmë të ditur se proçedurialisht është shfrytëzuar e drejta e Rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores.
Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe Rregulloren dhe mandatet e deputetëve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë e KE-së, janë krejtësisht legjitime" përfundoi zëdhënësja e Kuvendit Ruseti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›