Fier, identifikohet autori i plagosjes së shefit të krimeve të Lushnjes
Vetëm pak orë pasi kishte plagosur shefin e policisë kriminale të Lushnjes, policia e Fierit ka identifikuar autorin e dyshuar për ngjarjen.
Burime zyrtare nga Policia e Fierit konfirmuan për RTV "Ora News" se autori i dyshuar i ngjarjes është Robert Gerica, 39 vjeç, nga fshati Ndërnenas.Burimet shtuan se pas identifikimit, vijon puna për vënien e 39-vjeçarit në pranga.
Sipas policisë Gerica plagosi mëngjesin e së henës, pranë banesës së tij shefin e policisë krinale të Lushnjes, Altin Hadërin.
Altin Hadëri, u qëllua rreth orës 06:25 minuta, vetëm pak metra larg banesës së tij, në lagjen "Apolonia" në qytetin e Fierit.
Mësohet nga dëshmitë e vendit të ngjarjes se Altin Hadëri fillimisht u konfrontua fizikisht me agresorin,i cili më pas e qëlloi me armë zjarri
Shefi krimeve në Lushnje, u qëllua me pistoletë. Oficeri Altin Hadëri, ka marrë një goditje në bark. Ai u dërgua me urgjencë për në spitalin e Fierit, pasi plumbi i kishte përshkuar trupin.
Hadëri i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale që zgjati për tre orë, ndërsa bluzat e bardha të Fierit, thonë se aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq, sulmi ndaj kolegut ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e policisë së Fierit, të cilët po punojnë për arrestimin e autorit tashmë të identifikuar.
Ndërkaq, disa minuta para se të futej në sallën e operacionit, Hadëri ka thënë se nuk ka mundur të identifikojë autorin, pasi e ka para vetëm për pak sekonda. Ai ka theksuar se nuk kishte njohje me agresorin.
Ekspertët e policisë së Fierit kanë gjetur dhe sekuestruar armën me të cilën u qëllua oficeri Hadëri.
Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe gëzhoja. Ndërkaq, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Altin Hadëri pre tre javësh mbante postin e Shefit të Policisë kriminale në Lushnje. Më parë, Hadëri punonte si inspector në zyrën e antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit