E Diel, 1 Nëntor 2026

Rushaj Ndryshimet ne ligjin per akcizat synojne uljen e evazionit fiskal

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tha sot se ndryshimet në ligjin "Për akcizat" synojnë uljen e evazionit fiskal dhe vendosjen e biznesit në një fazë të re të konkurrueshmërisë.

Gjatë takimit të Këshilli Konsultativ të Biznesit, Rushaj tha se për ndryshimin e tij ka patur një konsultim të gjerë me çdo grup interesi, që në një mënyrë apo tjetër do të afektohej nga zbatimi i ligjit.

"Ndryshimet vijnë në kuadër të përafrimit të ligji tonë me atë të BE-së. Direktiva që është përafruar është direktivë që ka nisur zbatimin në vendet e BE-së nga 1 janari 2010", deklaroi Rushaj.

Një tjetër risi, sipas tij, është edhe organi që do të administrojë këtë taksë. "Sot administrimi i akcizës bëhet nga administrata doganore për mallrat e importit dhe nga administrata tatimore për mallrat e akcizës që prodhohen në vend. Do të jetë një administratë ajo që do të administrojë akcizën, që do të jetë administrata doganore", tha më tej zv/ministri Rushaj.

Sipas tij, një administrim i tillë do të bënte të mundur mbylljen e ciklit, duke minimizuar çdo mundësi për evazion fiskal. Ai shtoi se administrata doganore ka një eksperiencë të mirë në menaxhimin e mallrave të akcizës, veçanërisht për mallrat e regjimit të pezullimit tatimor fiskal. "Një pjesë e mirë e mallrave të akcizës që prodhohen në vendin tonë, lëndët e para i marrin nga importi. Atëherë mbyllja e këtij cikli, pra ndjekja që nga momenti kur një lëndë përdoret për të prodhuar një mall akcize, ndjekja e ciklit të prodhimit, deri të cikli i hedhjes në treg dhe pasja në një dorë të vetme e gjithë këtij procesi bën të mundur që lufta ndaj çdo lloj evazioni të ishte në nivelin më të lartë, çka do të sillte, jo vetëm të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, si pasojë e luftës ndaj evazionit, por mbi të gjitha do të vendoste në një fazë të re të konkurrueshmërisë të operatorëve në treg", tha zv/ministri i Financave.

P/ligji, shpjegoi më tej Rushaj, parashikon një platformë të re, që do të thotë që të gjithë operatorët në treg, të pajisur me magazina fiskale, do të kenë një modul elektronik në të cilin do të mund të pasqyrojnë të gjitha lëvizjet për mallrat e akcizës. Ky modul, sipas Rushajt, do të llogarisë detyrimet dhe do të pasqyrojë edhe vjeljen e detyrimeve eventuale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›