E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rushdie, vargjet e një jete “satanike”

Gratë, bukuria, thashethemet e më pas arti i të shkruarit, letërsia, dy gjuhët që përdor dhe qytetet e pafundmë në të cilat ka qenë. Takim me shkrimtarin e “Vargjeve satanike”

Në botë nuk janë të shumtë shkrimtarët e përmasave dhe të origjinalitetit të Salman Rushdie. Megjithatë kur e ke përballë, mendon se këtë njeri e kishe përfytyruar ndryshe para se ta njihje. Arsyet janë të ndryshme: ndoshta për shkak të veshjes së tij, shpesh ekstravagante, apo për shkak të bluzës së bardhë me copëza lëkure leopardi, e ndoshta për namin që ka si një krijues i jetës së ditës dhe asaj të natës, të jetës shpirtërore dhe asaj fizike. Si në çdo vend ku shkon, qoftë edhe për pushime, ai nuk harron që të marrë me vete laptopin, disa libra dhe mbi të gjitha, të organizojë konferenca të vogla me lexues dhe dashamirës të shkrimeve të tij. Fama e tij dhe, mbi të gjitha shkrimet, nuk janë shoqëruar deri më tani me ndonjë “Nobel”, por me shumë çmime të rëndësishme për botën e letërsisë dhe me një kërcënim nga Teherani, në lidhje me librin që e bëri të famshëm “Vargje satanike”. A zakonisht është një njeri që e përdor shumë mirë buzëqeshjen, si dhe gjuhën e tij të dytë, anglishten, të cilën tashmë e ka perfeksionuar në atë shkallë sa të shkruajë e të hedhë në letër gjithë mendimet. Madje përdor anglishten me stërhollime gramatikore e frazash që e bëjnë ta dallosh menjëherë nga shkruesit e tjerë jo britanikë. Por po aq mirë ai di të përdorë edhe ironinë, madje sarkazmën hera-herës, që sipas tij, është pjesë e pashmangshme e realitetit tonë. Në vitin 1999, pak pas deklaratës së qeverisë iraniane se tashmë e kishte hequr dënimin me vdekje ndaj shkrimtarit, duke e lënë më në fund të lirë, Rushdie iu rikthye jetës publike, që do të thotë se për të nisën të qarkullonin thashetheme, sikur ai nisi të qarkullonte nëpër festa e mbrëmje me vajza të bukura e njerëz të famshëm, kryesisht britanikë. Kur e pyetën një herë në një intervistë për të gjitha thashethemet që qarkullonin për të dhe që mund t’ia prishnin imazhin, Rushdie u përgjigj se thashethemet janë rrezik i zanatit dhe se ai ishte shumë i qartë për risqe të tilla e se i kontrollonte fort mirë. Shkrimtari i madh që ka sjellë në jetë një botë me personazhe të shumta e të çuditshme, ndoshta nuk do të ishte bërë i tillë sikur të kishte një jetë të zakonshme. Ai i kërkon vetë situatat e jashtëzakonshme e personazhet e çuditshëm. Veç kësaj, ai është i famshëm edhe për marrëdhëniet e tij me femrat. Për t’u martuar me ish-gruan e tij 25 vjet më të madhe në moshë, Padma Lakshmi, ai divorcoi bashkëshorten e re. Për të pasur divorcin shpejt, ai i dha ish-gruas 7 milionë euro. Por fatkeqësisht dhe kjo martesë nuk i doli mbarë dhe nuk dihet ende se sa para i ka dhënë ai ish-gruas së katërt që vendosi ta linte një ditë të bukur. Libri i tij i fundit quhet “E mrekullueshmja e Firences” dhe rrëfen për Italinë dhe Indinë në epokën e Rilindjes. Libri para këtij titullohej: “Klouni Shalimar” dhe është historia e një vrasësi të lindur në Kashmir. Por një nga përpjekjet më të suksesshme është edhe ajo i shkrimit të historisë së Orfeut dhe Euridices, më pas ka shkruar reportazhe shumë të bukur për Nikaraguan, ese për politikën, futbollin dhe madje edhe përralla për fëmijë. Në çdo material, ai përdor një gjuhë të re të foluri. Ka raste që është e thjeshtë dhe e kuptueshme, e herë të tjera bëhet shumë hermetike, e koklavitur dhe e pasur me figura letrare. “Kur nis të shkruaj, pyes gjithmonë veten: ku zhvillohet ngjarja dhe mbi të gjitha në çfarë epoke. Vetëm pasi i kam dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, vendos që të zgjedh edhe gjuhën që i shkon për shtat atyre ngjarjeve. Në rastin e librit për Firencen, kam dashur të rrëfej një mister dhe misteri është gjithmonë interesant, por duke qenë se kisha zgjedhur një ngjarje në të shkuarën, madje në të shkuarën e largët, u frymëzova nga librat dhe stilet e veprave të tilla, si ato të Aristotelit dhe Don Kishotit. Rushdie ka shkruar për të tashmen në reportazhet e tij dhe për të shkuarën në romane, po a do të shkruajë ndonjëherë për të ardhmen? Ai thotë se e ka menduar një gjë të tillë dhe se do t’i pëlqente dhe madje mund të jetë edhe subjekti i romanit të ardhshëm. Ai ka qenë gjithmonë i magjepsur nga historitë fantastiko-shkencore dhe libri i tij i parë me tregime, për të cilin ai nuk është se ka ndonjë konsideratë të madhe profesionale tani, është një rrëfim fantazie dhe fantashkence njëherazi. Ai e ka përdorur fantashkencën edhe në romane të tjerë, por jo në të gjithë linjën, por në linja të veçanta. Kur ishte i ri, i pëlqente shumë që të lexonte për të rejat e fundit të shkencës dhe për parashikimet e së ardhmes. Veçanërisht kjo lloj gjinie pati një bum të vërtetë në vitet ‘60 që sot konsiderohet edhe si periudha e artë e fantazisë. Fatkeqësisht, sot kjo lloj letërsie kaq pjellore dhe intriguese nuk ekziston më, të paktën në ato përmasa. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve të sotëm fantastiko-shkencorë nuk shkruajnë me ndonjë nivel dhe fantazitë janë të vakëta. Kështu Rushdie rrëfen se ai ishte i ngopur dhe nuk e lexonte më këtë lloj krijimtarie, por kishte menduar që ta sillte vetë, edhe pse kishte pak drojë, pasi një letërsi e tillë kërkonte edhe punë kërkimore dhe hulumtime në fusha të ndryshme të shkencës. Nga ana tjetër, fantashkenca është një fushë që i jep hapësirë një shkrimtari dhe kjo është premisa e parë që një zhanër tillë është i destinuar për të rilindur. Sipas tij është i vetmi zhanër që i jep mundësi shkrimtarit që të lëvrojë ide. Ndërkohë në librat e tij, Rushdie ka shkruar për shumë qytete të botës, kjo sepse autori ka jetuar dhe ka shkuar në shumë vende. E në morinë e këtyre metropoleve të mëdhenj e të vegjël, cili është ai që shkrimtari e konsideron qytetin më interesat të botës?

Sipas tij, deri në vitin 2001, qyteti më interesant i botës ishte Nju Jorku, por më pas situata ndryshoi dhe rënia në fakt ndodhi para këtij viti. Nju Jorku, sipas shkrimtarit, ka qenë qendra kulturore e botës dhe kjo deri në fund të viteve ‘70. Në atë epokë shumë pak gjëra kishin të bënin me paratë. Rushdie vazhdon të thotë se në vitet ‘70 hyri fuqishëm kulti i parasë dhe pagesave dhe arti u shndërrua në konsum dhe pjesë të biznesit fitimprurës. Paraja ndryshoi vlerat e deriatëhershme dhe vlerat u zëvendësuan nga injoranca dhe mitet e rreme. Qyteti rreshti së prodhuari art e në vend të artit, prodhimi i tij i parë ishin paratë. Më pas situata u përkeqësua deri më 11 shtator që shënoi jo vetëm për Nju Jorkun, por për tërë botën një epokë të re. Sipas shkrimtarit, sot në botë nuk ekziston një vend kryesor në planet që mund të konsiderohet si qendra e botës e si një Romë e re. Ndoshta për disa, një qytet i tillë mund të jetë Pekini, apo Mumbai. Fakti është se bota po ndryshon në një mënyrë marramendëse. Por duke iu rikthyer dashurisë së parë të shkrimtarit, Nju Jorkut, që është edhe vendi ku ai ka jetuar për një kohë të gjatë, çfarë i pëlqen atij me të vërtetë në këtë qytet? Rushdie thotë se çdo qytet të jep diçka dhe për sa i takon Nju Jorkut, ai është një qytet që kërkon shumë nga banorët e tij. Në këtë metropol njerëzit punojnë 12 orë në ditë dhe kjo është një nga gjërat që i pëlqejnë më shumë shkrimtarit, pasi në një vend ku të gjithë punojnë, është më e lehtë që të punosh më mirë dhe si pasojë edhe ai e ka pasur periudhën e Nju Jorkut shumë produktive. Por kur një shkrimtar dashurohet me një qytet, bëhet fjalë për një dashuri që zakonisht ka si shkak një arsye të caktuar dhe zgjat një periudhë të caktuar. Rushdie është shumë kozmopolitan. Dashuritë e tij për njerëzit dhe qytetet e ndryshme janë tashmë të njohura e si pasojë pikërisht këto dy tema të mëdha, pra përkatësia dhe çrrënjosja janë ndër temat kryesore të shkrimeve dhe romaneve të tij. Sipas fjalëve të shkrimtarit, njerëzimi jeton në një dilemë të përjetshme ekzistenciale dhe gjithmonë na duhet të zgjedhim mes ikjes dhe qëndrimit në një vend. Të dyja zgjidhjet janë shumë të vështira, por ëndrra e ikjes, e lënies së të shkuarës pas, është një ëndërr që nuk vdes kurrë. Po kur shkruan a mendon Rushdie për lexuesit, apo për veten? Fillimisht ai thotë se mendonte vetëm për historinë që po rrëfente, ndërsa me kalimin e kohës, është bërë më i interesant për mënyrën se si do ta perceptojnë lexuesit atë që ai kërkon që të thotë dhe mendon gjithashtu dhe për procesin e vetë letërsisë. Ai kërkon në morinë e mënyrave të kumtimit të një historie tek lexuesi, atë më të mirën, më bindësen, më të vërtetën e më prekësen. Ai e ndjen se është detyra e tij dhe e çdo njeriu që shkruan që të gjejë pikërisht këtë mënyrë më të mirë të të kumtuarit të mesazheve. I pëlqejnë shumë filmat e regjisorit të famshëm spanjoll Almadvar, filma plot personazhe dhe vende, intriga e ngjarje që gëlojnë pa reshtur gjatë gjithë kohës. Sekreti është gjithmonë që të kapësh me intuitë shijen dhe mënyrën e të perceptuarit të lexuesit. Për të leximi është shumë i lidhur me kënaqësinë. Sigurisht sepse po nuk na pëlqeu një libër nuk e lexojmë, por ajo që vlen me të vërtetë tek një libër është ajo çka na mbetet prej saj, pasi e kemi lexuar, si dhe koha që këto mbresa na shoqërojnë në jetën tonë. Ka libra që i kemi lexuar në fëmijëri dhe na shoqërojnë gjatë gjithë jetës deri në ditët e fundit, të tjerë të cilët i kemi lexuar pa mendje dhe që nuk na kanë lënë asnjë lloj gjurme. Numri i librave që dua me të vërtetë dhe që për hir të së vërtetës është i pakët gjatë një jete, kushtëzon edhe mënyrën e të parit të botës. Sidomos librat e lexuar në fëmijëri janë me të vërtetë ata që na frymëzojnë dhe na pajisin me një optikë të caktuar për të gjykuar dhe shijuar. Kur shkruaj, mendoj për këtë trashëgimi që do të lënë librat e mi tek lexuesit, pra te jetëgjatësia e mesazhit. Rushdie i interesojnë shumë takimet me lexuesit, sepse prej tyre, ai merr atë që do,pra se sa ka mundur që të transmetojë idetë e tij dhe kjo bëhet vetëm përmes takimeve të drejtpërdrejta. Ai thotë se dëshiron që letërsia e tij të ndryshojë mënyrat e jetesës së lexuesve. I pëlqejnë shumë ata lexues që kanë pyetje të caktuara dhe të sakta në lidhje me veprat e tij që flasin për mbresat dhe reagimet e tyre gjatë dhe në përfundim të leximit. Sigurisht që nuk duron aspak pyetje të tilla: Si ndiheni tani që jeni i famshëm dhe i pasur?

Cili është libri që bëni më shpesh dhuratë? Një nga veprat e tij më të dashura është një libër i Borgesit dhe veç këtij, dhe “Qytetet e padukshëm” të Kalvios. Këtë të fundit e kam njohur në Londër ku pata kënaqësinë që të isha në një prezantim të një libri të tij. Ndërkaq i kërkova që të më shihte disa shkrime të miat. Pata një ndjesi të jashtëzakonshme, ndërsa ai i lexonte materialet e mia, por në fund mora vlerësimet maksimale dhe ai ka qenë një nga momentet e mia më të rëndësishme, sepse vlerësimi i një njeriu të tillë më dha krahë”. Rushdie ka lindur në Indi, por është shkolluar në shkollat më të mira të Anglisë. Ai flet dy gjuhë dhe shkruan në mënyrë perfekte në anglisht. Po si ndihet të shkruajë në një gjuhë që nuk është për të gjuha e nënës? “Sepse anglishtja është gjuha që e di dhe e flas po aq mirë sa gjuhën e nënës, madje këtë të fundit shpesh nuk kam rastin që ta ushtroj. Janë të paktë shkrimtarët që arrijnë të jenë kreativë në dy gjuhë të huaja, mbase më i famshmi prej tyre është vetëm Vladimir Nabokov”.

Rushdie është një njohës i mirë i shkrimtarëve anglosaksonë, të cilët aktualisht po përballen me një sukses të jashtëzakonshëm, pra po kalojnë një periudhë të begatë krijimtarie e prodhimtarie. A bën pjesë shkrimtari në këtë listë njerëzish të suksesshëm? “Unë mendoj se ajo çka kam shkruar ka ndihmuar njerëzit në njëfarë mënyre që të mendojnë për disa vlera dhe ide të caktuara. Me këto ide mund të kenë bërë dhe zgjedhje të rëndësishme në jetë. Kur publikova librin “Djemtë e mesnatës” më kërkuan një mendim në lidhje me shkrimtarët e tjerë indianë, por në atë kohë nuk kishte asnjë shkrimtar në Indi dhe si pasojë nuk dhashë asnjë lloj përgjigje bindëse dhe të saktë. Sot, pas 3 vitesh, ka qindra shkrimtarë indianë. Ndërsa për sa i përket shkrimtarëve anglosaksonë sigurisht që ata janë një periudhë shumë e mirë krijimtarie dhe kjo më lumturon, por nuk më takon mua që ta vendos se jam, apo nuk jam në listën e tyre. Antologjitë e së ardhmes, nëse do të më përfshijnë, mund ta japin më mirë se kushdo tjetër këtë përgjigje. Rushdie është 62 vjeç dhe thotë se në këtë moshë ka shkruar vetëm gjysmën e librave që ka ndërmend të shkruajë. 20 vitet e fundit kanë qenë për plot ngjarje, vite të bukura, por dhe shumë të vështirë, të shoqëruar nga 4 divorce dhe jashtëzakonisht punë. Pas gjithë këtyre gjërave cilat janë gjërat që e mrekullojnë më shumë? Bukuria, ajo e natyrës, e artit, e poezisë. Unë jam skllav i bukurisë. Ajo është drogë për mua dhe mendoj se është një dhuratë që na është dhënë të gjithëve dhe që nuk duhet ta harrojmë. çdo ditë sulmohemi nga gjëra të pakëndshme, nga monstruozitete që janë vepër e dorës së njeriut. Ja përse është e drejtë që të kuptojmë se jemi në gjendje që të prodhojmë dhe të shijojmë bukuritë. Në këtë këndvështrim për mua bukuria ka një vlerë etike jo vetëm estetike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›