Finlanda mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës

Në këtë takim temë qendrore e bisedave ishin thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, perspektiva evropiane e Kosovës si dhe çështjet e stabilitetit rajonal.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, pasi që falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të Finlandës për Kosovën, njoftoi Ministrin Tuomioja me progresin e arritur në Kosovës në planin e shtetndërtimit demokratik si dhe në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Ajo theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të realizojë vizionin euro-atlantik të shtetit të Kosovës duke punuar me vizion dhe vendosmëri në reformat evropiane për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e një ekonomie të tregut për të cilën po mobilizohet të gjitha resurset ekonomike dhe kapitali njerëzor. Ajo po ashtu foli për progresin në rritjen e numrit të njohjeve dhe aspiratat për integrimin e plotë të Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare
Nga ana e tij, Ministri i Puneve te Jashtme te Finlandes, Erkki Tuomioja vlerësoi lartë progresin që ka bërë Kosova në këtë periudhë si dhe rikonfirmoi se Finlanda mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe perspektivën evropiane të sajë. Ai premtoi se vendi i tij do të këtë angazhim të pakursyer me të gjitha kapacitetet për ta mbështetur zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare si dhe për rritjen e numrit të njohjeve. Ministri në veçanti u angazhua për përshpejtimin e procesit të Stabilizimit Asocimi përmes studimit të fizibilitetit, vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve si dhe u diskutua për thellimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Finlandës në sferën e diplomacisë, ekonomisë, agrikulturës si dhe edukimit e sigurisë.
Gjithashtu u vlerësua si shumë e rëndësishme paqja dhe stabiliteti rajonal, ku u çmua angazhimi i Kosovës që është duke kontribuar në një masë shumë të lartë dhe të pa zëvendësueshëm për promovimin e vlerave evropiane në mbarë rajonin. Po ashtu u konstatua se gjithë vendet e rajonit duhet ti japin prioritet agjendës evropiane dhe të mos mbeten peng të politikave të vjetra, ku një prej parimeve esenciale duhet të jetë bashkëpunimi rajonal dhe respektimi i realiteteve dhe kufijve mes shteteve të rajonit.
Në fund të takimit zëvendëskryeministrja Tahiri ftoi Ministrin e jashtëm Tuomioja që të vizitoj Kosovën në një të ardhme të afërt.
Në vazhdim të kësaj vizite zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim me znj.Päivi Rasanen, Ministre e Punëve të Brendshme të Finlandës. Gjatë këtij takimi u bisedua për përshpejtimi e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe për mënyrat se si Finlanda do të kontribuoi në këtë proces. Më këtë rast, Ministrja Rasanen premtoi angazhim maksimal që Kosova sa me shpejt të marrë liberalizmin e vizave duke përmendur si argument imazhin e mirë të komunitetit shqiptar në Finlandë. Ajo po ashtu tha se Finlanda do të vazhdojë të kontribuoj me projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve në shumë sfera, si dhe që Finlanda do të angazhohet të kontribuoi në Kosovë përmes prezencës së saj që ka me theks të veçante EULKES-it. Znj. Tahiri vlerësoi mbështetjen e Finlandës dhe në veçanti kërkoi bashkëpunim në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit duke qenë marrë parasysh përvojat e Finlandës në këtë fushë si shteti i parë që ka zbatuar këtë praktikë evropiane me shtetet fqinje.
Po ashtu, znj. Edita Tahiri gjatë qëndrimit në Finlandë u takua edhe me ish ndërmjetësin e OKB- së për statusin e Kosovës, ish presidentin Marti Ahtisari. Gjatë këtij takimi u fol për situatën në Kosovë, përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë si dhe për mënyrat e shtimit të njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Znj. Tahiri çmoi kontributin e Presidentit Ahtisari për pavarësinë e Kosovës, ndërsa ai premtoi angazhim të pa kursyer për të afirmuar shtetin e ri me qellim që Kosova shumë shpejt të behet edhe pjesë e OKB-se.
Në këto takime Tahiri ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë e Finlandës në Kosovës, znj Anne Meskanen.