Rusi, Putin zgjedh Medvedev për presidencialet e 2 marsit
Presidenti rus, Vladimir Putin, mbështeti aleatin e hershëm të tij, Dimitri Medvedev, si pasues të mundshëm të tij. E me këtë lëvizje Putin i hap rrugën vetes që të ushtrojë pushtet që nga prapaskenat edhe pasi ai të largohet nga presidenca vitin e ardhshëm. Medvedev, 42-vjeçari zëvendëskryeministër dhe president i gjigandit të gazit, "Gazprom", konsiderohet si më i buti mes kandidatëve të mundshëm për kreun e Kremlinit, por analistët thonë se ndikimi i Putinit do të mbetet thelbësor. Zgjedhja e Putinit u jep fund disa viteve spekulimesh dhe e vë Medvedevin në një pozicionim më të favorshëm në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2 marsit, pasi pjesa më e madhe e rusëve do të mbështesnin këdo që Putini, Presidenti shumëpopullor, do të zgjidhte si pasues të tij. Presidenti rus, i detyruar nga kushtetuta të tërhiqet pas dy mandateve radhazi, ka shfaqur mbështetjen në një takim me katër liderë partish që mbështesin Medvedevin. "Unë e kam njohur atë nga afër që prej më shumë se 17 vjetësh dhe e mbështes plotësisht kandidaturën e tij", tha Putin në televizionin shtetëror. "Ne kemi shansin të krijojmë një administratë të fuqishme për federatën ruse pas zgjedhjeve të marsit... një administratë që do të vazhdojë të ndjekë të njëjtat politika që na kanë sjellë rezultate pozitive gjatë këtyre tetë viteve të shkuara", tha ai. Medvedev është një avokat që vjen në fakt nga i njëjti qytet me Putinin, Shën Petërburgu. Të dy ata kanë punuar së bashku në administratën e qytetit në vitet ‘90-të. Putin e solli Medvedev në Moskë si një ndihmës kryesor të tijin, menjëherë pasi u bë President. Medvedev është cilësuar nga analistët investigativë si një liberal që është më pak konfrontues kundrejt Perëndimit, se sa shumë nga kolegët e tij në Kremlin. Ai përdor tone më të buta dhe ndonjëherë nuk është komod para kamerave televizive edhe pse është goxha i sigurt në takimet zyrtare dhe informale. Por, ai gjithashtu ka qenë pjesë e një administrate që me agresivitet ka mbrojtur interesat e veta. Nën lidershipin e tij, "Gazprom" ka rinegociuar projektet e energjisë me kompanitë shumëkombëshe dhe ka marrë qëndrime të ashpra me klientët e huaj, veçanërisht me ish-republikat sovjetike të mësuara me çmime më të ulëta. "Zgjedhja e Medvedev reflekton dëshirën e Putinit për të pasur në post figurën më të bindur", thonë analistët e pavarur. "Putin e sheh Medvedev si një zëvendësues të bindur te besnikëria e të cilit mund të mbështetet gjithnjë". Tregjet ruse ndërkohë u fuqizuan në kohë rekord pas publikimit të lajmit se Putin kishte zgjedhur pasuesin e tij, Dimitri Medvedev. Disa analistë investimesh spekulojnë se zgjedhja e Medvedevit për postin më të lartë të Rusisë do të krijonte një vakum në bordin e "Gazprom"-it, çka mund të plotësohej ndoshta edhe nga vetë Putini pas mbarimit të mandatit të tij. Aksionet e "Gazprom"-it njohën ndërkaq një rritje prej 2.6 përqindësh, duke e çuar vlerën e kompanisë më të madhe ruse në 345 miliardë dollarë. "Ky është një lajm i mirë", thotë Tim Ash, një ekonomist, njohës i tregjeve ndërkombëtare në Londër. "Në fund të fundit, të gjithë ne e dimë se Putin do të jetë ai që do të ushtrojë pushtetin e vërtet nga prapaskena. Putin do të fshihet pas Medvedev". Në fakt, ky i fundit nuk ka mbajtur asnjëherë poste që sigurohen nëpërmjet votës dhe ashtu si edhe çdo pretendent tjetër në ekipin e Putinit, për postin e Presidentit, edhe ai ka mohuar gjithnjë të kishte interes për detyrën e shefit të Kremlinit. Dy javët e ardhshme, Medvedev do të duhet të regjistrohet zyrtarisht si kandidat. Ai do ta bëjë këtë me mbështetjen e Rusisë së Bashkuar të Vladimir Putinit, e cila do të zgjedhë në fakt kandidatin e saj zyrtar më 17 dhjetor, apo si një kandidat i pavarur, por që ka mbështetjen e Kremlinit. Vëzhguesit thonë se Putin qëllimisht ka vonuar mbështetjen e pasuesit të mundshëm të tij. Ai është përpjekur të evitojë ndonjë gabim apo dështim të mundshëm, si dhe të mos u jepte kohë klaneve brenda Kremlinit të sfidojnë zgjedhjen e tij. Dhe në të vërtetë, ka pasur shenja përplasjesh në prapaskena, ku thuhet se përfshihet fraksioni i të ashtuquajturve "Siloviki", i përbërë nga ish-agjentë të shërbimeve sekrete ruse, apo ish-ushtarakë. "Nëse Medvedev zgjidhet marsin e ardhshëm, kjo do të dobësonte pozitën e silovik-ëve", thotë Kris Ueafer, kryestrategu i bankës "Uralsib" në Moskë. "Kjo shoqërohet ndërkohë me disa shqetësime afatshkurtra në lidhje me mënyrën se si ata mund të reagojnë... A do të mundohen ata ta pengojnë këtë zgjedhje"?