Belfasti këmben të shkuarën e trazuar me të ardhmen e shkëlqyer
Nga bashi i një barke që ngjitet ngadalë kundrejt rrymës së ujërave të lumit Lagan në Belfast, bregu duket thuajse si të gjitha ato zona industriale të braktisura nga koha. Pak më tej bien në sy ndërtesa me xhama të thyera; makineritë dhe pajisjet vërehen përpara oborreve gjysmë të mbuluara nga bimësia. Dy vinça jeshilë grishin horizontin. Njihen si Samsoni e Goliati dhe qëndrojnë ende në terrenin që i përket akoma "Harland & Wolff", kompanisë që dikur ndërtoi "Titanikun", më të madhen - ndoshta edhe më jetëshkurtrën - ndër anijet që ka parë ndonjëherë njeriu.
Tani po mendohet që të dy vinçat viganë të përmbushin një detyrë të re për llogari të kryeqytetit irlandez. Pas vitesh të tëra dhune që e kishin ndarë Belfastin më dysh, vinçat - si edhe fama e anijeve që ndërtuan dikur - kanë marrë rol të dorës së parë në projektin që ka qëllim të rigjenerojë qytetin. Planifikuesit shpresojnë se trashëgimia e "Titanikut" do të jetë simbol mjaft i fortë i përpjekjeve për të shëruar plagët e qytetit.
"‘Titaniku‘ është një ndër markat më të njohura në rruzull", thotë Maik Smith, president i "Titanic Quarter Limited", grupi i ngarkuar me përmbushjen e projektit masiv. "Njerëzit nuk janë më aq të ankthshëm sa në të shkuarën. Kam punuar këtu për pjesën më të madhe të karrierës sime, por tani mund ta ndiejë kushdo atmosferën: njerëzit kanë besim. Zhvillimi ekonomik po troket në prag, ndërkohë që po vërehet një dinamizëm i ri politik që po jep rezultate".
Shpresë me bollëk
Me pak fjalë, optimizmi gjendet me bollëk këtyre ditëve në Belfast. Po ashtu, edhe ambiciet. Së fundmi, promovuesit e projektit 6.17 miliardë dollarësh shpresojnë se lagjja e "Titanikut", jo larg qendrës së qytetit, do të gjenerojë investime shtesë me vlerë jo më të vogël se 6-7 miliardë, si edhe 25 mijë vende pune për qytetarët. Dhe interesi ka dhënë rezultate të menjëhershme. Këtë vjeshtë janë shitur 475 apartamente, ndërtimi i të cilave ende nuk ka nisur. Numri i kërkesave për të blerë është rreth dhjetë herë më i madh nga ç‘janë shitur deri tani.
Por, është faza e dytë e projektit ajo për të cilën organizatorët janë veçanërisht optimistë. Përveç rindërtimit të të gjithë zonës, ku nuk do të mungojnë restorantet, kafetë, baret e hotelet, si edhe një godinë e re për Universitetin e Belfastit, është menduar të ndërtohet edhe një muze i dedikuar tërësisht industrisë së ndërtimit të anijeve (kjo zonë ka qenë lider në rang botëror i kësaj industrie). Në pjesën e përparme të muzeut, në një park gjigant do të ndërtohen përpikmërisht kantieret ku u ndërtua "Titaniku" dhe simotra e saj "Olimpiku".
"Kantieri ku u ndërtua dikur ‘Titaniku‘ është shumë tërheqës, por nuk ofron asgjë për të parë", thotë Kerri Suini, drejtori i projektit për qendrën e vizitorëve të "Titanikut". "Tani aty nuk ka vërtet asgjë".
Por, për të qenë të përpiktë, kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Operatorë të ndryshëm turistikë ofrojnë udhëtime dyorëshe në molet e dikurshme përgjatë lumit. Bashkë me fletëpalosjet, ku tregohet historia e ndërtimit të anijes vigane, turistët mund të blejnë edhe bluza ku shkruhet slogani: "Ishte në rregull kur doli që këtu". Një tjetër frazë pikante është përpiluar duke u bazuar te kombësia angleze e kapitenit të "Titanikut", Eduard Xhon Smith: "Ndërtuar nga irlandezët. Mbytur nga anglezët". Barakat e operatorëve turistikë mbushen plot e përplot edhe gjatë ditëve me shi.
Është lënë pas më e keqja?
Më së shumti, kur bie fjala te Belfasti, automatikisht mendohet mbi ngjarjet e pak viteve më parë. Gjatë kësaj periudhe, që tashmë njihet thjesht me termin "trazirat", më shumë se 3 mijë e 5 qind njerëz gjetën vdekjen gjatë tri dekadave, deri në vitin 2001, teksa republikanët, më së shumti irlandezë katolikë, përlesheshin për jetë a vdekje me luajalistët, më së shumti protestantë që këmbëngulnin të mbeteshin pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Incidentet vazhduan, por procesi politik - i nisur me Marrëveshjen e Belfastit në vitin 1998, i cili arriti kulmin me ndarjen e pushtetit në Irlandën e Veriut dimrin e shkuar - shkaktoi mes popullatës ndjesinë se e keqja është lënë pas dhe se duhej parë përpara vetëm me optimizëm.
Turizmi ka pësuar rritje të pabesueshme dhe Suini nxiton të nënvizojë se Belfasti u vlerësua si i dyti ndër qytetet më të dëshiruara në Britaninë e Madhe, ndërkohë që në shumë studime të kryera nëpër të gjithë botën, arrin të zërë vazhdimisht vendet e para në renditje.
E, megjithatë, plagët e së shkuarës nuk janë mbyllur ende tërësisht dhe një vizitë e shpejtë në disa lagje të zonës perëndimorë të Belfastit mjafton për t‘i vënë re. Lagjet e katolikëve dhe të protestantëve vazhdojnë ende të jenë të ndara nga mure dhe gjithkund vërehen pllaka e monumente që kujtojnë të vrarët. Në pjesët katolike, nëpër mure gjendet kudo portreti i Bobi Sends, i cili vdiq në vitin 1981, pas një revolte kundër policisë, pasi kjo e fundit i trajtonte luftëtarët e burgosur protestantë si të ishin keqbërës të rëndomtë. Në shumë prej mureve janë pikturuar fytyrat e njerëzve të vrarë nga plumba pa autorë. Në anën tjetër të ndarjes, luftëtarë kërcënues që premtojnë vdekjen e të gjithë atyre që guxojnë ta quajnë veten katolikë, përzihen me portretet e martirëve.
Lagjja e "Titanikut" po përpiqet ta ndihmojë qytetin të largohet nga gjithë këto plagë të së shkuarës. Nga njëra anë Muzeu i Titanikut mendohet se do të tërheqë vëmendjen e shumë turistëve. Nga ana tjetër, vendet e reja të punës do nxisin kthimin e mijëra banorëve që u larguan nga Belfasti gjatë "trazirave". "Qendra e Belfastit ka qenë gjithnjë zonë neutrale", tregon Smith. "Është shumë e rëndësishme që lagjja e "Titanikut" të jetë një zonë që do t‘i mirëpresë të gjithë. Njerëzit nuk duan t‘u kthehen ditëve të errëta të së shkuarës".
Koncept absurd
Po a mund të vlejë imazhi i anijes gjigante që u mbyt thuajse 100 vjet më parë për të shëruar plagët e një ndarjeje që i ka rrënjët në shekull? Pavarësisht absurditetit që bart në dukje ky koncept, "Titaniku" është në gjendje të bëjë efektin e dëshiruar, thotë Frank Gafikin, profesor planifikimi në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast. "Nuk ka dyshim që qyteti ka parë shumë tmerre me sy, por gjithashtu dihet se ka vullnet të fortë për të nisur shkrimin e një faqeje të re", thotë profesori. "Lagjja e ‘Titanikut‘, së pari, është e rëndësishme për shkak të përmasave të projektit, por njëherësh pasi është një zonë që nuk është dominuar kurrë as nga njëra palë e as nga tjetra. Kjo përbën një mundësi mjaft të mirë për t‘i harruar përplasjet e së shkuarës".