E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi, mbërrijnë aeroplanët e parë nga SHBA-ja për fikjen e zjarreve


Tre aeroplanë amerikanë me pajisje kundër zjarreve, përfshirë dhe ndihma mjekësore kanë mbërritur në Moskë për të ndihmuar rusët që t'i luftojnë zjarret e shumta. Dy aeroplanë transportues C-130 zbritën në aeroportin Vnukovo mëngjesin e djeshëm. Gjithashtu më vonë mbërriti edhe aeroplani i tretë "Carter" nga Kalifornia, me urdhër të guvernatorit të shtetit, Arnold Shvarceneger. Ministria e Emergjencave në Moskë tha se dërgesat kanë pajisje tepër të nevojshme dhe Rusia e ka përshëndetur këtë gjest të amerikanëve. Ndërkohë në Moskë situata ka filluar të marrë nota pozitive pasi kanë rënë shirat e para pas një kohe të gjatë. Por disa dhjetra zjarre ende vazhdojnë të digjen në afërsi të kryeqytetit rus. Aktualisht në kryeqytetin rus nuk ka re tymi, por meteorologët parashikojnë se reja e tymit mund të rikthehet nëse era nuk e ndryshon drejtimin në ditët e ardhshme. Ministria e Emergjencave tha se është zvogluar numri i vatrave të zjarrit, por 500 vatra zjarresh vazhdojnë ende të qëndrojnë ndezur në mbarë vendin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›