Rusi, në total 300 mld dollarë dëme nga zjarret masive
Humbjet ekonomike të shkaktuara nga zjarret e paprecedentë që shkatërruan pyjet e Rusisë këtë vit, arrijnë në të paktën 300 miliardë dollarë (rreth 238 miliardë euro), u shprehën ditën e enjte disa aktivistë të shoqatave ekologjike ruse.
Drejtori i Qendrës ruse për mbrojtjen e natyrës, Aleksei Zimenko, njoftoi se kostoja e zjarreve arrin mesatarisht në 25 000 dollarë ose 19 800 euro për hektarë. Por, sipas Qendrës botërore të mbikëqyrjes së zjarreve, një organizëm i lidhur me OKB-në, rreth 12 milionë hektarë janë djegur që nga fillimi i vitit.
"Këto shifra janë astronomike", bëri të ditur Zimenko në një konfernecë shtypi, ku shpjegoi se kjo llogaritje merrte parasysh koston e ripyllëzimit dhe atë të vlerës së tregut të drurit të djegur, por jo humbjet ekologjike, as shkatërrimin e ekosistemeve dhe të kafshëve.Organizatat për mbrojtjen e ambientit akuzuan gjithashtu autoritetet ruse për minimizimin e gamës së katastrofës.