E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi, një organizatë komuniste i kërkon OSBE-së 27 000 mld euro

Lëvizja patriotike komuniste ruse "Brezi i Fitores" do t'i kërkojë 27 000 miliardë euro dëmshpërblim OSBE-së pasi kjo e fundit publikoi një rezolute që e cilëson stalinizmin njëlloj si nazizmi, një regjim totalitar. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga gazeta "Kommersant".
"Gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiqën 27 milionë qytetarë sovjetikë. Ne kërkojmë një milionë euro për secilin për arsye të fyerjes që i është bërë kujtimit të tyre,"- deklaroi shefi i kësaj lëvizjeje të drejtuar nga deputeti komunist Alexei Kornienko.
Ai saktësoi se dëshironte ta çonte çështjen në Gjykatën Evropiane e të Drejtat të Njeriut, me qendër në Strasburg. Procedura u ndërmor të hënën në mbrëmje, sipas të përditshmes ruse. Ky zhdëmtim përbën dyfishin e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Evropian, që arriti në fund të 2007-s në rreth 12276 miliardë euro.
Sipas avokates Karina Moskalenko, e specializuar në çështjet e ngritura kundër Rusisë në Europë, ankesa ka pak gjasa të merret parasysh.
"Nën këtë formë, ankesa do të gjykohet e papranueshme. Nuk kuptohet mirë se kujt i janë shkelur të drejtat, ndërsa nuk identifikohet qartë asnjë vend,"- pohoi Moskalenko për "Kommersant".
Asambleja parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) miratoi me shumicë të gjerë në korrik të këtij viti një rezolutë në të cilën thuhet se në shekullin e 20-të vendet evropiane kanë njohur dy regjime të mëdha totalitare, nazizmin dhe stalinizmin.
Në këtë rezolutë thuhej se këto regjime kanë pjellë gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, krime lufte si dhe krime kundër njerëzimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›