Rusi, pritet të zhvillohen seri të reja armësh bërthamore
Presidenti rus, Dmitri Medvedev tha se vendi i tij do të zhvillojë një seri të re armësh bërthamore ndërkohë që po vazhdohet puna drejt arritjes së një traktati të ri armësh strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Medvedev komentoi në Moskë gjatë një interviste me redaktorët e tre stacioneve televizive që kontrollohen nga shteti.
Presidenti rus tha se teknologjia e re e raketave do të zhvillohet në përputhje të plotë me çdo marrëveshje të re mbi armët që do të arrihet me Washingtonin.
Traktati aktual për Pakësimin e Armëve Strategjike përfundoi në fillim të këtij muaji dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë deklaruan se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje të re në fillim të janarit.
Medvedev dhe presidenti amerikan Barack Obama ranë dakord në muajin korrik në Moskë që të përpiqen për arritjen e një traktati të ri mbi armët bërthamore.
Zyrtarët patën deklaruar më parë se një traktat i tillë do të përfshinte në arsenalin e secilit vend pakësime që do ta çonin numrin e mbushjeve bërthamore nga nivelet e tanishme në shifrat 1,500 deri në 1,650. Këto pakësime parashikohet të arrihen brenda 7 viteve të ardhshëm.