Rusia akuza NATO-s për drogën afgane
Rusia ka akuzuar forcat e NATO-s në Afganistan se nuk po bëjnë sa duhet për të ndaluar prodhimin dhe eksportimin e heroinës afgane. Kreu i Shërbimit Federal të Drogës në Rusi, Viktor Ivanov, tha se talibanët ishin përgjegjës vetëm për përqindje minimale të prodhimit të drogës. Ai kritikoi NATO-n për përqendrimin vetëm tek një prodhues i vogël. Ivanov tha se heroina afgane përbënte deri në 90 përqind të tregtisë ruse të narkotikes. Kjo nuk është hera e parë që Victor Ivanov sulmon NATO-n për dështimin në shfarosjen e prodhimit të drogës në Afganistan. Këtë herë Ivanov vuri në objektiv të veçantë administratën amerikane të Obamës, duke e akuzuar për ndryshimin rrënjësor të politikës së saj vitin e kaluar. Ndryshimi i strategjisë i dha fund përpjekjeve të ushtrisë për të shkatërruar bimët narkotike në fushat afgane. Ai tha se refuzimi amerikan për të shfarosur plantacionet e opiumit ishte garanci pasi prodhuesit e drogës do të kalonin pa u ndëshkuar. Qeveria amerikane ka deklaruar se praktika e çrrënjosjes së lulëkuqeve po armiqësonte bujqit afganë dhe po i kthente ata në krahun e talibanëve. Por Rusia thotë se pasoja është një valë heroine me çmim të lirë drejt Azisë dhe Rusisë. Ivanov tha se prodhimi i drogës në Afganistan tani është faktor global destabilizimi në veçanti për Rusinë.