Rusia akuzon Kosovën se po stërvit rebelët sirianë në territorin e saj
S’kanë të ndalur akuzat absurde që nga trafiku i organeve e deri tek stërvitja e opozitarëve sirianë në territorin e Kosovës. Fantazia e sëmurë gjithsesi konfirmon rreshtimin e shqiptarëve të të gjithë rajonit në mbështetje të forcave demokratike, kudo në botë
Ministria e Jashtme e Rusisë ka shfaqur të hënën shqetësime për raportimet që falsin se rebelët sirianë po trajnohen në Kosovë dhe se po stërviten nga anëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po krijojnë bazën ndërkombëtare për stërvitje të rebelëve. Gazeta ‘Dnevni Avaz’ i Sarajevës citon protestën ruse, në të cilën theksohet “Vëmendjen tonë e tërheqin raportet e fundit mediale mbi lidhjet e opozitës siriane dhe të autoriteteve’, siç citohet, “të të ashtuquajturës Republika e Kosovës. Kjo përfshin jo vetëm shkëmbimin e përvojave për organizimin e lëvizjeve separatiste të drejtuara kundër regjimeve, por përfshin stërvitjen e rebelëve të Sirisë në Kosovë”. Sipas pohimeve të Moskës, qendrat stërvitore ndodhen në ish-bazat e UÇK-së, kurse “shndërrimi i Kosovës në bazë ndërkombëtare për ushtrimin e rebelëve për formacione të ndryshme të armatosura mund të jetë faktor kryesor destabilizues në Ballkan”. Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka vlerësuar se qëllimet e tilla bëjnë të shqetësohemi dhe se qëllimet e stërvitjes se rebelëve sirianë në Kosovë janë në kundërshtim me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara dhe të të deleguarit special paqësor të saj, Kofi Annanit. Mediat ruse mbështeten në raportet e agjencive perëndimore të javëve të shkuara dhe njoftojnë se delegacioni i rebelëve sirianë ka udhëtuar në Prishtinë direkt nga SHBA, ku gjoja janë marrë vesh se si ta shfrytëzojnë ndihmën e UÇK-së për arritjen e qëllimeve të veta. “Jemi këtu që të marrim mësime. Në Kosovë e kanë kaluar këtë rrugë dhe kanë përvojat e nevojshme aq të dobishme për ne. Posaçërisht dëshirojmë të dimë se si të unifikojmë në një ushtri grupet tona të armatosura të shkapërderdhura:, është shprehur njëri nga liderët e opozitës së armatosur siriane dhe luftëtar për të drejtat njerëzore, Amar Abdulhamid. Abdulhamidi kishte braktisur Sirinë në vitin 2005 dhe ishte vendosur në SHBA, i cili qysh më herët njihet si kundërshtar i regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad. Edhe përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit dje akuzoi Kosovën se po stërvit rebelët sirianë. Por, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj mohoi akuzat e tilla.
Kronika e ditës - Rishfaqen paramilitarët maqedonas, Qeveria e Shkupit hesht
Autoritetet qeveritare në Maqedoni vazhdojnë të heshtin për formacionin paramilitar MOS ( Forcat e Bashkuara Maqedonase), që mbetet aktiv me paraqitjen dhe mesazhet e tij urrejtëse kundër shqiptarëve. Ky formacion paramilitar ka profilin e saj, njerëz udhëheqës të veshur me uniforma ushtarake speciale dhe që shihen për veprimet e tyre në terren. Kjo organizatë dhe ithtarët e saj, transmeton njoftimin INA, ditëve të fundit kanë qenë më aktiv përmes rrjeteve sociale dhe komunikatave të shpalosura tek ithtarët e tyre me mesazhet për mbrojtje nga shqiptarët dhe siç thuhet radikalizmi islamik. MOS ka theksuar se është e zgjuar dhe në çdo moment do të reagojë kur do të rrezikohen interesat maqedonase. Kjo organizatë gjithashtu shprehet se mund të ketë hakmarrje për arrestimet e fundit dhe se ajo mbështet aksionin e MPB-së, duke i inkurajuar që të vazhdojnë më tej. “Bravo për MPB, akoma ka që duhet dënuar”, thuhet në një mesazh të fundit të kësaj organizate. Por, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka reaguar hapur ndaj këtij grupimi paramilitar dhe kërcënues për paqen në vend. Profili i saj vijon të jetë i pranishëm në faqe të ndryshme të internetit dhe se shihen udhëheqësit e këtij formacioni. Zëdhënësi i MPB, Ivo Kotevski kohë më parë me paraqitjen e kësaj organizate ka deklaruar se nuk ka ndonjë denoncim se dikush rrezikohet nga ta dhe se në MPB nuk ka ndonjë komunikatë nga MOS. Ai ka nënvizuar se nuk mund të ndalojnë pjesëtarë të kësaj organizate, duke parë vetëm fotografi, që sipas tij mund të jenë të vjetra dhe bëhet fjalë për persona që nuk kanë bërë asnjë vepër kriminale apo penale. Përfaqësuesit ndërkombëtarë dënojnë paraqitjen e këtyre organizatave, por ato nuk komentojnë MOS, duke theksuar se për një gjë të tillë duhet informuar organet e rendit dhe ato politike.
...