Rusia, aleatja e fundit e Sirisë

Injorimi nga ana e Rusisë i përpjekjeve ndërkombëtare, për t’i dhënë fund dhunës së ushtruar kundër protestuesve nga ana e presidentit të Sirisë, Bashar Al Assad, bazon në llogarinë e Moskës se mund të ruajë praninë e saj në Lindjen e Mesme, duke e mbështetur aleatin e saj të fundit në rajon dhe se nuk do të humbë asgjë, nëse dështon në këtë përpjekje.
Kremlini ka hyrë në konflikt me Perëndimin, pasi që po mbron regjimin e Assadit nga sanksionet e OKB-së dhe po vazhdon të furnizojë këtë vend me armë, madje edhe në momentin kur shtetet tjera kanë vënë embargo në armatim.
Por marrëdhëniet e Moskës me Washingtonin edhe ashtu kanë qenë të tendosura, për shkak të grindjes rreth planit për mbrojtje raketore dhe kundërthënieve tjera. Dhe kryeministri Vladimir Putin duket se është i prirë ta kundërshtojë SHBA-në, në momentin kur po zhvillon fushatën për t’u rikthyer në presidencë, në zgjedhjet presidenciale, të cilat do të zhvillohen në mars.
“Nuk do të kishte kuptim nëse Rusia heq dorë nga mbështetja për Assadin”, thotë Ruslan Pukhov, kryetar i Qendrës së pavarur për Analizimin e Strategjive dhe Teknologjive. “Siria mbetet aleatja e fundit e Rusisë në rajon, duke i mundësuar Moskës që të ruaj ca ndikim në Lindjen e esme”, shtoi ai.
Kremlini gjithashtu shpreson se Assadi mund të mbetet në pushtet me ndihmën e Rusisë dhe të paguaj Moskën për më shumë kontrata për armatim dhe marrëveshje tjera dobiprurëse.
Dhe vëzhguesit janë të mendimit se përderisa Rusia nuk ka çfarë të humb nga mbështetja për Assadin, ajo nuk ka se çfarë të përfitojë nëse ndryshon qëndrimin dhe përkrahë opozitën.
“Rusia ka tejkaluar Rubikonin”, thotë Igor Korotchenko, kryesues i Qendrës për Analizimin e Tregtisë Globale me armatim.
Ai thotë se Rusia gjithmonë do të cilësohet si mbrojtëse e regjimit të Assadit, pa marrë parasysh epilogun e konfliktit, prandaj Rusia ka pak interes që të lidh aleancë me protestuesit. OKB-ja ka vlerësuar se mbi 5400 persona janë vrarë, që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit të kaluar.
“Rusia do të shihet si aleate e diktatorit. Nëse regjimi i Assadit përmbyset nga pushteti, kjo do të nënkuptonte fundin e pranisë ruse”, thotë Fjodor Lukianov, botues i revistës Rusia në Çështjet Globale.
Sira ka qenë aleatja kryesore e Moskës në Lindjen e Mesme që nga periudha sovjetike, kur kryesohej nga i ati i Basharit, Hagez Assad. Kremlini këtë vend gjithmonë e ka parë si një pengesë ndaj ndikimit amerikan në rajon dhe e ka armatosur në vazhdimësi Sirinë, në luftën e saj kundër Izraelit.
Përderisa marrëdhëniet e Rusisë me Izraelin janë përmirësuar dukshëm që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, lidhjet me Damaskun i kanë ndihmuar Rusisë që të ruaj rëndësinë e saj si pjesëtare e katërshes së negociatorëve ndërkombëtare, të cilët po përpiqen që të negociojnë paqen mes palestinezëve dhe Izraelit.
Pasi që Bashar Al Assadi trashëgoi të atin në vitin 2000, Rusia synoi të forcojë lidhjet, duke u pajtuar që të anuloi 73 për qind të borxhit sirian nga periudha sovjetike. Në vitin 2005, Putin pat theksuar se Rusia do të rikthejë vendin e saj në Lindjen e Mesme, nepërmjet Sirisë.
Porti sirian i Tartusit tani është baza e vetme detare, që Rusia e ka jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik.
Për dekada të tëra, Siria ka qenë një klient i rëndësishëm i industrisë ruse të armatimit, duke blerë armatim me vlerë prej disa miliarda dollarë. Dhe për dallim nga disa regjime tjera, të cilat armatimin e kanë blerë me kredi, Assad ka paguar me para të gatshme.
Moska ka akuzuar Perëndimin se po mbyll sytë kur bëhet fjalë për furnizimin e kryengritësve sirianë me armatim dhe ka tërhequr vërejtjen se nuk do të jetë e obliguar që të respektojë sanksionet e Perëndimit kundër Sirisë.
Vëzhguesit në Moskë theksojnë se përveç me armatim, Rusia mund të bëjë shumë pak për të ndihmuar Assadin.
Lukianov thotë se Rusia ka bërë të qartë se do të bllokojë të gjitha përpjekjet, për t’i dhënë mbulesë OKB-së për intervenim ushtarak në Siri, por nuk do të jetë në gjendje të bllokojë një intervenim të këtillë nga fqinjët e Sirisë.
“Rusia ka kuptuar se ka mundësi të kufizuara dhe se nuk mund të luaj një rol vendimtar”, nënvizoi Lukianov. (AP)