Rusia firmos një marrëveshje me Agjencinë e Energjisë Atomike
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, IAEA, dhe Rusia nënshkruan ditën e hëne në Vjenë një marrëveshje lidhur me krijimin e një banke ndërkombëtare të lëndës djegëse bërthamore në Siberi. Lajmi u njoftua nga OKB-ja.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Yukiya Amano, dhe ai i gjigandit rus të energjisë bërthamore, Rosatom, Sergei Kirienko, firmosën dokumentin që do t'u bëjë të mundur vendeve të respektojnë traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore dhe të sigurojnë uranium pak të pasuruar pranë kësaj rezerve, nën mbikëqyrjen e IAEA-s.
Banka do të vendoset në zonën e Angarskut, në juglindje të Rusisë, ku ekziston që prej vitit 2007 një qendër e përbashkët me Kazakistanin për pasurimin e uraniumit, që furnizon tashmë Ukrainën dhe Armeninë, shtoi Serguei Kirienko në një konferencë shtypi.
Qendra do të ketë me kohë 120 tonë lëndë djegëse bërthamore pak të pasuruar (2-4,95 %), e gatshme për çmimin e tregut.
"Shpresojmë që deri në verë të vëmë në zbatim rregullat e sigurisë së IAEA-s dhe parashikojmë të kemi në fund të vitit 30 për qind të rezervës së duhur", bëri të ditur Serguei Kirienko.