Rusia kërkon telashe në Gjeorgji
Rusia e madhe, me popullatë 150 milionë dhe Gjeorgjia e vockël, me popullatë 4.6 milionë, ish-koloni e saj dhe tashmë fqinj i pavarur dhe krenar, janë në një rrezik të tmerrshëm që të hyjnë në një konflikt shkrumbues, të përgjakshëm dhe të pakuptimtë në Kaukaz. Ky konflikt, thjeshtë do të përkeqësojë marrëdhëniet mes Moskës dhe Bashkimit Europian e SHBA-së. Mundet gjithashtu që i gjithë Kaukazi të destabilizohet. Uashingtoni dhe Brukseli mund të sugjerojnë vetëpërmbajtje, por i vetmi vend që mund të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë, është vetë Rusia.
Shkaku i luftës aktualisht është një përplasje për rajonin që synon të ndahet të Osetisë së Jugut, e cila ka luftuar për pavarësi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991. Ajo është një mozaik shumetnik i përbërë nga fshatra malore, pjesërisht osetë dhe pjesërisht gjeorgjianë, me vetëm 70 mijë banorë, të ndarë në pro-rusë dhe pro-gjeorgjianë dhe që nuk kanë asnjë lloj identiteti të përbashkët.
Një armëpushim i brishtë i vitit 1992 është thyer rregullisht. Këtë javë, u thye sërish pasi Ushtria Gjeorgjiane synoi të merrte kryeqytetin Tshkinvali, ndërsa një kolonë tankesh ruse hynë për t’i ndaluar. Aviacioni rus sulmoi objektiva brenda territorit të padiskutueshëm të Gjeorgjisë, përfshirë edhe një stacion radarësh. Vladimir Putin, Kryeministër i Rusisë dhe Mikhail Shakashvili, President i Gjeorgjisë, e kanë cilësuar përplasjen “luftë”.
Prej kohësh, tashmë Rusia nuk pretendon më se është një palë e tretë neutrale. Ajo ka filluar të përkrahë hapur krahinat autonome. Veprimet e saj duket se synojnë thjeshtë të destabilizojnë një vend fqinj. Z.Shakashvil nuk dëshiron të përballet me Moskën. Por z.Putin (dhe Dmitri Medvedev), duket se dëshirojnë të provojnë dy gjëra: që Gjeorgjia është tepër e pastabilizuar për t’u anëtarësuar në NATO dhe se vetëm ata mund të përcaktojnë të ardhmen e ish-hapësirave sovjetike. Ata i kanë të gjitha kushtet për ta bërë këtë, sepse as SHBA-të dhe as anëtarët e tjerë të NATO-s nuk mund të ëndërrojnë ndërhyrjen ushtarake. Vetëm se Gjeorgjia është e pastabilizuar vetëm si pasojë e politikave të Rusisë. Duke nxitur krahina autonome, Rusia po i dërgon një sinjal të tmerrshëm të tjerëve brenda Rusisë, veçanërisht rebelëve në Kaukazin e Veriut. Politika e Rusisë mund të jetë efektive për momentin, por në terma afatgjatë, ajo do të kthehet në vetëshkatërruese.