E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Gjeorgjia, kërkon armëpushim me Rusinë

Moska nuk reagon ndaj kërkesës për hapjen e bisedimeve. Trupat ruse vendosin nën kontroll të plotë Osetinë e Jugut

Gjeorgjia urdhëroi dje një armëpushim të njëanshëm, tërhoqi trupat nga Osetia e Jugut dhe deklaroi se qe e gatshme për të hapur bisedime me Rusinë, “për t’i dhënë fund luftës”. Komunikata iu dorëzua Ambasadorit Rus në Tbilisi. Kushtet e vendosura nga Tbilisi, kanë të bëjnë me vendosjen e Misionit të OSBE-së në vend, vendosjen e paqeruajtësve të huaj, si dhe demilitarizimin e krahinave autonome të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Ndërkohë, trupat ruse avancuan përmes Osetisë dhe iu afruan kufijve të Gjeorgjisë. Tashmë duket se Rusia e kontrollon rajonin, por nga ana tjetër, një zyrtar deklaroi në Moskë se nuk ka plane për kapërcimin e kufijve. “Ne nuk kemi në plan ta zgjerojmë konfliktin përtej Osetisë”,- deklaroi Kolonel-Gjeneral Anatoly Nogovitsyn, i forcave ruse. Lëvizja agresive e trupave ruse erdhi pas tërheqjes së Gjeorgjianëve nga kryeqyteti i Osetisë, Tshkinvali. Trupat e Tbilisit u urdhëruan të tërhiqen në pozicionet që mbanin para ditës së enjte, kur filloi edhe lufta.

Lufta e ditëve të fundit është konflikti më i madh që Rusia ka kryer me një ushtri të huaj, që nga pushtimi i Afganistanit më 1979. Gjatë ditës së djeshme, trupat ruse vunë nën kontroll edhe territorin e Abkhazisë, ndërsa sulmuan Aeroportin e kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi. Autoritetet Gjeorgjiane deklaruan dje se presin që sulmet ruse të vijnë nga tre pika të ndryshme; dy nga Abkhazia dhe një nga Osetia. Një gazetar raportoi për bombardime nga Osetia e Jugut në drejtim të territorit të Gjeorgjisë. Problemi duket se qëndron të faktin se të dy palët kanë një kuptim të ndryshëm mbi kufirin. Kufiri administrativ i Osetisë është shumë më i gjerë sesa zonat e kontrolluara nga pro-rusët dhe nëse Moska synon të vendosë nën kontroll territorin administrativ, atëherë do të përplaset me Ushtrinë Gjeorgjiane.

Gazetarët panë gjatë ditës së djeshme ushtarët gjeorgjianë që kaluan kufirin kur po tërhiqeshin nga Osetia e jugut. Ushtarët dukeshin të rraskapitur nga ditët e gjata të luftimeve dhe të zemëruar me SHBA-të dhe Bashkimin Europian. “Unë kam jetuar në një vend demokratik dhe kam qenë i lumtur”,- tha njëri prej tyre. Tani SHBA-të dhe Bashkimi Europian po pështyjnë mbi ne”,- tha njëri prej tyre. Të dy vendet nuk janë zyrtarisht në gjendje lufte, megjithëse ushtarët e tyre po vrasin njëri-tjetrin. Tbilisi njoftoi se ka humbur rreth 100 ushtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›