Rusia kundër rezolutës për Sirinë

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Genadi Gatilov, tha se vendi i tij nuk do të mbështesë rezolutën e OKB-së për Sirinë. Sipas tij, ndryshimet që janë bërë duke marrë parasysh disa shqetësime të Rusisë, “nuk janë të mjaftueshme”.
Draft-rezoluta, e përpiluar nga shtetet evropiane dhe arabe, nuk i bën thirrje “në mënyrë eksplicite” presidentit sirian, Bashar al-Asad, të japë dorëheqje dhe nuk përmend sanksione apo embargo armësh, por mbështet në tërësi planin e Ligës Arabe “për të lehtësuar” tranzicionin demokratik.
Në anën tjetër, aktivistët thonë se të paktën 20 persona kanë humbur jetën në përleshjet e së premtes ndërmjet trupave qeveritare dhe dezertorëve të ushtrisë.
Protestuesit, që nga marsi i vitit të kaluar, kërkojnë rrëzimin e regjimit të Asadit, ndërsa Kombet e Bashkuara bëjnë me dije se gjatë kësaj kohe kanë humbur jetën mbi 5.400 persona.