Rusi, reduktohet eksporti i gazit për Evropën

Komisioni Evropian ka bërë me dije se furnizimet me gaz natyror nga Rusia kanë rënë në nëntë shtete, Austri, Bullgari, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Poloni, Rumani dhe Sllovaki, në një kohë që kemi ulje të ndjeshme temperaturash në këto vende. Të njëjtat burime bëjnë me dije se dërgesat në Austri dhe Itali kanë rënë nga 30 për qind në 24.
Nga ana tjetër gjiganti energjetik i Rusisë, Gazprom, ka thënë se ka rritur furnizimet me gaz jo vetëm në Evropë, por edhe në Bjellorusi dhe Ukrainë. Ai gjithashtu u shpreh se Ukraina “ndalon dërgesat e destinuara për konsumatorët evropianë”, megjithatë Kievi fajëson Rusinë për shkurtimet.
Ministri ukrainas i Energjisë, Juri Boiko, tha se Rusia shet rreth 15 për qind më pak gaz, për shkak të rritjes së konsumit të brendshëm. Mbi 80 për qind e dërgesave ruse të gazit arrijnë në Evropë përmes rrjetit të tubacioneve të Ukrainës.