E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Angazhim maksimal për të drejtat etnike në Luginën e Preshevës

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri priti të premten në një takim përfaqësuesit politik nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin, deputet në parlamentin e Serbisë, Galip Beqirin, kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, dhe Shaip Kamberin, kryetar i Komunës së Bujanocit.

Në takim u fol për situatën politike në Luginë, për gjendjen e shqiptarëve etnikë të kësaj pjese, si dhe efektet e marrëveshjeve teknike të arritura në Bruksel për përmirësimin e jetës së shqiptarëve atje.
Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së informacionit të Tahirit delegacioni e njoftoi zëvendëskryeministren për zhvillimet më të reja në fushën e realizimit të të drejtave legjitime të komunitetit shqiptar atje, duke theksuar në veçanti sfidat dhe vështirësitë në planin politik, ekonomik dhe arsimor. Ata gjithashtu vunë në dukje dukurinë e largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga trevat e tyre shkaku i mungesës së perspektivave të qarta.

Nga ana e saj zëvendëskryeministrja Tahiri, duke shprehur shqetësimin për gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginë, premtoi angazhimin maksimal të qeverisë së Kosovës në mbështetje të të drejtave etnike të shqiptarëve, si dhe për ruajtjen e identitetit etnik e kulturor në trojet e tyre etnike.

Tahiri theksoi gjithashtu se të drejtat e komuniteteve janë të garantuara me standarde ndërkombëtare, andaj Serbia duhet të respektojë këtë obligime karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t`iu sigurojë mirëqenie e perspektivë demokratike.

Duke folur për procesin e dialogut teknik në Bruksel, Tahiri tha se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy shteteve fqinje, Kosovës e Serbisë, dhe marrëveshjet e arritura deri tani janë me efekte pozitive edhe për shqiptarët e Luginës, sepse sigurojnë lëvizjen reciproke të njerëzve dhe mallrave.

Tahiri premtoi angazhimin për heqjen e tarifave të sigurimit të automjeteve, që po e vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke bërë me dije se qëndrimi i Kosovës në dialog ka qenë për zgjidhje në favor të qytetarëve, por pasi që Serbia ka insistuar për tarifa të larta, edhe Kosova është kundërpërgjigjur me reciprocitet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›