Rusia kundërshton sulmin e mundshëm ndaj Iranit

“Një sulm ushtarak kundër Iranit do të ishte një gabim shumë serioz, që do të shkaktonte pasoja të paparashikueshme. Kjo nuk është një zgjidhje ushtarake për problemin bërthamor të Iranit ose ndonjë problem tjetër në botë”, u shpreh Lavrov.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti i Izraelit, Shimon Peres, tha se po rriten gjasat për një sulm eventual ndaj Iranit.
Shërbimet e fshehta të shteteve të ndryshme i kanë paralajmëruar qeveritë e tyre, se Irani mund të zotërojë brenda gjashtë muajsh një bombë atomike, tha Peresi në disa intervista.
Bota është tani përballë Izraelit e detyruar që t'i ndalojë përpjekjet e Teheranit po qe nevoja edhe me dhunë ushtarake, shtoi ai.
Paralajmërimi i Izraelit erdhi para prezantimit të një raporti nga agjencia mbikëqyrëse bërthamore e Kombeve të Bashkuara, që pritet të bëhet këtë javë.
Mediat amerikane thanë se raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore akuzon Iranin për ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm drejtë prodhimit të armëve bërthamore.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ia kanë tërhequr vazhdimisht vërejtjen Iranit rreth programit të tij bërthamor.
Mirëpo, Lavrov tha se fushatat aktuale ushtarake, si ajo e NATO-s në Afganistan, kanë dëshmuar rrezikun e ndërhyrjes ndërkombëtare.