E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e ekonomisë japin alarmin: “Kriza mund të shtrenjtojë jetesën”

Hedhja e shumë parave në qarkullim mund të prodhojë inflacion. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin prill ishte 1.9 për qind

Ervin KOÇI

Niveli i inflacionit mund të rritet sërish, çka do të thotë se çmimet e mallrave ushqimorë mund të rriten përsëri dhe për pasoja kostoja e jetesës mund të shtrenjtohet. Ky është mendimi i ekspertëve të ekonomisë të cilët mendojnë se pasojat më të mëdha të krizës ekonomike globale do të ndjehen në vendin tonë në gjysmën e dytë të vitit 2009. Sipas ekspertëve, “masat e marra nga qeveritë botërore për të luftuar krizën e përbotshme financiare, mund të prodhojnë një tjetër krizë, atë të inflacionit”. Rreziku që bota të përballet me rritjen masive të çmimeve, tashmë është evidente. I vetmi shtet që akoma nuk ka marrë masa serioze për krizën është vendi ynë, i cili po përpiqet ta fsheh prekjen prej saj. Por ekspertët e ekonomisë e mendojnë si të pamundur shpëtimin nga efektet e krizës. Ata e lidhin këtë më së pari me humbjen e besimit që kanë konsumatorët shqiptarë tek qeveria, institucionet shtetërore dhe sistemi bankar. Kjo sipas tyre reflektohet tek tregu ku ka rënë ndjeshëm konsumi, tek industria, ndërtimi dhe sektori prodhues ku kanë rënë investimet, shitjet dhe likuiditeti. Por për ekspertët kjo ndihet edhe në sistemin bankar ku marrja e kredive është ulur, është rritur tërheqja e depozitave dhe pakësuar niveli i arkëtimit, si dhe janë rritur kursimet nga individët. Në lidhje me këtë, ekspertët mendojnë se, konsumatorët duhet të ndihmohen për të konsumuar më shumë. Prej muajsh, konsumi është ulur dukshëm, duke treguar se kriza i ka prekur të gjithë. Eskpertë të ekonomisë thonë se konsumi duhet të rritet pasi kështu mund të ndihmohet e gjithë ekonomia, që prej muajsh reagon me vështirësi.

Ekspertët e huaj

Në këtë linjë është shprehur dje dhe Brian Griffiths, nënkryetar i Goldman Sachs International dhe anëtar i Dhomës së Lordëve në Angli, gjatë një leksioni të mbajtur në një nga universitetet private të Tiranës. “Me gjithë këto stimuj fiskale dhe monetare ka rrezik të hyjmë në krizën e rritjes së çmimeve. Banka e Shqipërisë duhet të ngrejë normat e interesit, po kjo do të sillte konflikt se do të akuzohej se nuk lufton recensionin”,- u shpreh Griffiths. Ndërsa Louis Greig, drejtor menaxhimi në bankën “JP Morgan”, thotë se rritja e çmimeve mund të jetë dyshifrore. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin prill ishte 1.9 për qind. Ndërkohë që tavani i vendosur nga BSH-ja dhe qeveria është 2 deri në 4 për qind. Gjatë krizës botërore të ushqimeve rreth dy vjet më parë, kur çmimet e mallrave ushqimorë në të gjitha vendet e botës pësuan rritje, niveli i inflacionit në vend e kaloi edhe cakun e vendosur nga qeveria. Kjo për shkak të rritjes masive të çmimeve të ushqimeve. Shqipëria është një vend importues neto, me një deficit tregtar që vitin e kaluar arriti në 327 miliardë lekë. Ndaj dhe ecuria e çmimeve në vend është e varur në një masë të mirë nga ajo në tregjet ndërkombëtare, çka u provua edhe gjatë krizës së çmimeve në verën e vitit të kaluar.

Zhvlerësimi i lekut

Euro prej disa ditësh po qëndron në kuota historike të këmbimit ndaj lekut, i cili ka nisur zhvlerësim të ndjeshëm këto muajt e fundit. Bankierët paralajmërojnë se tendenca e zhvlerësimit të lekut ndaj euros mund të vazhdojë edhe për disa muaj të tjerë, derisa në tregun e brendshëm të rritet sërish oferta e monedhës evropiane. Që nga dhjetori i vitit të kaluar leku është zhvlerësuar në mënyrë konstante ndaj Euros. Tashmë një euro kushton në treg 8 për qind më shumë se sa blihej në fund të vitit të kaluar. Por disa ekspertë të tjerë thonë se përveç tregtisë kursi i këmbimit ndikohet dhe nga faktorë të tjerë, që kanë lidhje me qeverinë. Më kryesori mbetet ai i investimeve publike. Në 3-mujorin e parë, investimet me fonde të brendshme, arritën rekordin historik me 120 për qind të planit. Pjesa më e madhe e tyre është paguar për rrugën Durrës-Kukës, fatura e së cilës shlyhet në euro edhe pse të ardhurat e qeverisë janë në lekë. Nga ana tjetër investimet e huaja që financohen nga donatorët dhe që shërbejnë si burim për hyrjen e valutës në treg, janë realizuar vetëm në masën 50 për qind, duke ndikuar kështu fort raportin e kërkesë-ofertës për euro në treg.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›