E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Prifti siguron mbështetjen e biznesit

TIRANE- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka marrë sot mbështetjen e biznesit për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër. Në këtë kuadër METE dhe Dhoma e Tregtisë e Industrisë në Tiranë organizuan një takim të jashtëzakonshëm me bizneset, të cilët ju përgjigjën thirrjes së këtij institucioni për të dhënë ndihmën e tyre qoftë financiare, qoftë dhe me ndihma të tjera ushqimore, në medikamente apo në mjete transporti. ‘Ndodhemi në një situatë ku një komunitet është në kushtet e nevojave të mëdha që shkojnë nga ato më elementaret e deri te strehimi", deklaroi ministri Prifti. Kreu i METE-s tha se qeveria ka vendosur në dispozicion të kësaj zone rreth 2 mijë vetë, forca te policisë, ushtrisë si dhe nëpunës civilë si dhe disa miliarda lekë, ndërsa e konsideroi operacionin e deritanishëm si mjaft të suksesshëm, pasi sipas tij, edhe pse një situatë e vështirë, nuk ka asnjë jetë humane të humbur. Prifti theksoi se edhe pse qeveria ka dhënë ndihmë të jashtëzakonshme, ka nevojë për mbështetje të biznesit. ‘Nga Komiteti i Emergjencës më është ngarkuar ti bej një kërkesë shoqërive të hidrokarbureve, pasi nevoja për karburant është e madhe, ndërsa rezervat në dispozicion po vinë duke u zvogëluar", iu drejtua ministri Prifti biznesit që operon në këtë sektor. Në përfundim, ministri Prifti shtoi se fatura totale e dëmeve mund të jetë shumë e lartë .Për mbledhjen e kontributeve që do të jepen nga biznesi është hapur numri i llogarisë 401200231 pranë BKT-së në euro. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›