Opozita, protestë para Kuvendit

Socialistët kanë protestuar jashtë selisë së Parlamentit, ndërkohë që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka vazhduar normalisht seancën plenare, duke e kthyer situatën në panoramën përpara 25 shkurtit, kohë që në sallë ishte vetëm mazhoranca. Deputetët e PS-së kanë zhvilluar një protestë civile në shkallët e selisë së Kuvendit, si pasojë e përjashtimit të deputetit të PS-së, Taulant Balla, i cili të enjten e shkuar mbajti një fjalim kritik ndaj Kryeministrit Sali Berisha.
ProtestaDeputetët e Partisë Socialiste kanë vendosur përpara gojës një shami të zezë, si shenjë proteste ndaj dhunimit të fjalës së lirë, ndërkohë që pranë portës kryesore ishin vendosur postera, ku shkruhej se “nuk ka zgjedhje të lira pa fjalë të lirë” etj. Kanë folur me radhë një numër deputetësh socialistë, të cilët kanë dënuar aktin e marrë nga byroja, që e kanë cilësuar selektiv. Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi se “kjo mazhorancë që vodhi votat e që nuk lejon të bëhet transparenca, që po deformon shtetin e së drejtës, më së fundi dhunoi opozitën, duke i mbyllur gojën. Ne e quajmë dënimin e kolegëve tanë një dënim politik që i bëhet fjalës së lirë”. Më pas, Ruçi u kërkoi deputetëve të opozitës të mbajnë një minutë heshtje për fjalën e lirë, duke mbyllur gojën me një shall të zi. “Opozita shqiptare nuk do tërhiqet në asnjë çast për votën e lirë, për fjalën e lirë dhe luftën kundër transparencës”, theksoi Ruçi. Deputeti Namik Dokle, duke sfiduar mazhorancën, ka përsëritur fjalimin e Ballës. “Kjo qeveri kërkon të vjedhë dhe do të na ndalojë neve që t’u themi hajdutë; kjo qeveri shkel Kushtetutën dhe do që të na ndalojë ne t’i themi: Turp që e shkel Kushtetutën! Por ne do ta themi të vërtetën me zë të plotë përpara jush, në Kuvend dhe përpara të gjithë zgjedhësve në Shqipëri e përpara opinionit ndërkombëtar”, tha Dokle. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha se “fillimi i ri i Sali Berishës ishte përgjigjja nëpërmjet Jozefina Topallit, me aktin që bënë nëpërmjet dhunimit të fjalës së lirë, ku dy prej kolegëve tanë dhe rrjedhimisht gjithë grupit parlamentar dhe opozitës, tentohet që t’i prihet fjala dhe tentohet që të dhunohet fjala e lirë”. Ndërsa Bashkim Fino i është drejtuar Kryetares: “Pse Jozefina mban dy standarde, kur ne jemi korrektë në Parlament dhe nga ana tjetër shokët tani i përjashton 15 ditë, na mbyll gojën dhe ndërkohë që Kryeministrin e lë të flasë si të dojë në Parlament? Ky nuk është parlament, ky është parlamenti i Jozefinës dhe i Saliut”.
MazhorancaBrenda sallës së Kuvendit është zhvilluar fotokopja e asaj që ka pasur si “teatër” oborrin e Parlamentit. Në pjesën e diskutimeve të lira, deputetët e PD-së kanë sulmuar opozitën, duke e akuzuar se po vonon integrimin. Dorëzimi i pyetësorit nga Kryeministri Sali Berisha në Bruksel, si një ngjarje historike për realizimin e aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ishte çështja kryesore që u trajtua nga deputetët në seancën e sotme plenare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti dorëzimin e pyetësorit: “Vendi, që ditën e djeshme ka hyrë në një stad të ri zhvillimesh integruese, në një stad të ri, i cili ka nevojë dhe vend për gjithsecilin, një stad i ri në të cilin Parlamenti ka nevojë për kontributin e opozitës. Unë shfrytëzoj edhe njëherë rastin ta ftoj opozitën që të kontribuojë në këto ditë që janë vendimtare për heqjen e vizave. E ftoj opozitën për të thënë fjalën e saj. E ftoj opozitën për të diskutuar këtu ligjet. E ftoj opozitën për të diskutuar këtu reformat dhe për të kontribuar të gjithë së bashku në heqjen e vizave për shqiptarët. Ftoj opozitën për të mos e humbur këtë shans”, tha Topalli. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se “duhet të jetë e qartë për këdo se asnjë prej institucioneve të Kuvendit legjitim të Shqipërisë nuk mund të shantazhohen dhe byroja është njëri prej tyre. Kolegët tanë socialistë janë të ftuar që të plotësojnë vendet e tyre në byro, të thonë fjalën e tyre dhe të japin argumentet e veta atje, sa herë që të jetë nevoja për të diskutuar, si kur të jetë fjala për një deputet të mazhorancës, ashtu edhe për ata të opozitës”. Në fjalët e tyre, edhe deputetët Gerti Bogdani, Aldo Bumçi e Arenca Trashani kanë bërë thirrje që opozita të rikthehet në Parlament.
#