Rusia nuk i njeh menjëherë shtetet e reja

Ambasadori rus në Shqipëri, Leonid Abramov, ka reaguar të premten ndaj deklaratave nacionaliste, duke i cilësuar të rrezikshme, për shkak se nënkuptojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Ambasadori ka folur edhe për Kosovën.
Abramov ka nënvizuar se retorika nacionaliste nuk i shërben paqes në rajon. Ai, në lidhje më njohjen e Kosovës nga ana e qeverisë ruse, nuk dha një përgjigje të plotë. Por, tha se, shteti rus jo vetëm për Kosovën, por dhe për shtete të tjera të reja, nuk e ka në politikat e veta, që t'i njohë menjëherë pasi të krijohen. Por, sipas tij, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kosovës në fushat tregtare apo dhe në sektorë të tjerë, nuk do të mungojnë, shkruan Express.
"Sa i përket mosnjohjes së Kosovës, por edhe të ndonjë shteti tjetër, që sa fillon dhe hyn në familjen ndërkombëtare, është vendim sovran i çdo shteti të pavarur për të mos i njohur menjëherë. Në të vërtetë, ne jemi pak prezent në territoret shqiptare, por nuk dëshirojmë një vijë ndarëse në bashkëpunimin tonë.
Ne jemi të hapur për bashkëpunim në fusha të ndryshme edhe me shtetet që ende s’i kemi njohur", theksoi ambasadori rus./Indeksonline/