E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia paralajmëron: Do përgjigjemi nëse NATO vendos baza të përhershme ushtarake në Finlandë

Rusia ka paralajmëruar se do të marrë masa në rast se NATO vendos baza të përhershme ushtarake në Finlandë. Ambasadori rus në Helsinki, Pavel Kuznetsov u shpreh se nëse një gjë e tillë ndodh, Rusia do të marrë kundërmasa të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e saj.

“Rusia do të detyrohet të marrë masat e duhura hakmarrëse për të garantuar sigurinë e saj, në rast të shfaqjes së bazave të përhershme ushtarake të NATO-s në Finlandë, në formën e armëve të rënda sulmuese. Rusia sigurisht që do të detyrohet të marrë masat e nevojshme, kundërmasa, masa të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e saj ”, tha ambasadori rus në transmetimin e kanalit televiziv “Russia 24”.

“Shpresoj që pala ushtarako-politike, e politikës së jashtme finlandeze e di mirë se një zhvillim i tillë nuk i plotëson interesat e vetë Finlandës”, shtoi ai.

NATO ka deklaruar nuk ka plane të dërgojë trupa në Suedi dhe Finlandë pasi të përfundojnë procesin e anëtarësimit.

“Ne nuk synojmë të kemi një prani shtesë në asnjërin vend, ata kanë fuqi të jashtëzakonshme kombëtare. Ata janë të aftë të mbrojnë veten”, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ai pret që Suedia dhe Finlanda t’i bashkohen shpejt aleancës ushtarake. Procesi i ratifikimit zakonisht zgjat rreth një vit, nga nënshkrimi i Protokollit të Aderimit nga anëtarët ekzistues deri në aderimin në Traktatin e Uashingtonit. Por lufta në Ukrainë ka shtuar urgjencën në të gjithë procesin dhe procesi mund të përshpejtohet./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›