Rusia paralajmëron se mund të godasë satelitët amerikanë

Forcat ukrainase sulmuan sot një bazë kontrolli të Rusisë në qytetin jugor Kherson, ndërsa luftimet u intensifikuan edhe në lindje të vendit. Betejat erdhën mes raportimeve se autoritetet e emëruara nga Moska në Kherson janë larguar nga qyteti, duke u bashkuar me dhjetëra mijëra banorë që janë evakuuar në zona të tjera të kontrolluara nga Rusia.
Forcat ukrainase po rrethonin Kherson nga perëndimi dhe po sulmonin bazën e Rusisë në bregun perëndimor të lumit Dnieper, e cila ndan rajonin dhe vendin.
Në mes të betejave , Rusia lëshoi një paralajmërim se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqeshin në konflikt, duke shtuar se mund të synonte satelitët tregtarë perëndimorë të përdorur për qëllime ushtarake në mbështetje të Ukrainës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ndjekin një përshkallëzim “të pamenduar dhe të çmendur”. Ajo argumentoi se Uashingtoni duhet të tregojë një qasje më të përgjegjshme, duke i’u referuar krizës së raketave Kubane të vitit 1962, kur superfuqitë e Luftës së Ftohtë u tërhoqën nga pragu i konfrontimit bërthamor.
Ukraina ka ecur përpara në një ofensivë për të rimarrë rajonin Kherson dhe kryeqytetin e saj me të njëjtin emër, të cilin forcat ruse e pushtuan gjatë ditëve të para të luftës.
“Më shumë se 70,000 banorë nga zona e qytetit Kherson janë evakuuar ditët e fundit”,- tha guvernatori i instaluar nga Kremlini i rajonit, Vladimir Saldo.
Anëtarët e administratës rajonale të mbështetur nga Rusia u përfshinë në evakuim, tha zëvendësguvernatori Kirill Stremousov. Monumentet e heronjve rusë u zhvendosën, së bashku me eshtrat e Grigory Potemkin, gjeneralit rus që themeloi Kherson në shekullin e 18-të, të cilat u mbajtën në kishën e Shën Katerinës së qytetit.
Në Ukrainën lindore, forcat ruse vazhduan të bombardojnë qytetin e Bakhmut në rajonin e Donetskut, duke bërë përparime të ngadalta drejt qendrës.
Mes luftimeve të ashpra në dy fronte, zyrtarët rusë shtuan paralajmërimet se Perëndimi mund të bëhet pjesë e konfliktit. Apnews
/rtsh.al/