Rusia stacionin raketa në Kaliningrad

Ushtria e Rusisë ka filluar të stacionojë raketat tokë-ajër, të tipit S400, në Kaliningrad, enklavë kjo e cila gjendet në brigjet e Baltikut, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë.
Gazeta ruse, Izvestia, citoi një oficer anonim, i cili theksoi se raketat kanë arritur të premten në këtë enklavë ruse, ndërsa ministria ruse e Mbrojtjes refuzoi që të komentojë lajmin.
Raketat mobile S400 kanë një rreze veprimi prej 120 deri në 400 kilometra. Ky lloj i raketave tashmë është stacionuar përreth Moskës, ndërsa autoritetet ruse planifikojnë që këtë lloj të raketave ta stacionojnë edhe në Lindjen e Largët.
Ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë ekzistojnë tendosje për shkak të planit të Washingtonit që në Europë të stacionojë sistemin e mbrojtjes raketore, për të cilin Rusia thotë se rrezikon sigurinë e vendit.