E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Hekurt, filmi që sjell një Theçer të gërryer nga pendimet

Kamerat ende nuk kanë filluar që të xhirojnë sekuencat e para të filmit të ri biografik për ish-kryeministren britanike, Theçer, rolin e të cilës e luan aktorja e famshme amerikane, Meryl Streep, e ndërkohë i gjithë projekti është sulmuar dhe mbushur me kundërshti. I gjithë ky reagim ka të bëjë me këndvështrimin e filmit që është tërësisht negativ ndaj gruas që qeverisi me grusht të hekurt Britaninë e Madhe për shumë vjet. Kur dëgjoi një muaj më parë në lidhje me mundësinë e realizimit të këtij filmi, një nga pjesëtarët e familjes së Theçerit, që kërkon të qëndrojë në anonimitet tha se ishte i “tmerruar” nga fakti se ky film synonte që ta portretizonte ish-kryeministren në një dritë shumë të keqe. Mbështetësit dhe të afërmit e Kryeministres, e cila është ende gjallë, por vuan nga një formë e rëndë e humbjes së kujtesës, e kanë cilësuar filmin si një “fantazi leftiste” që ka për qëllim të hedhë hije dyshimi ndaj trashëgimisë politike të Kryeministres që deri më sot njihet si një nga politikanet femra më të zonja të shekullit të kaluar. Skenari i filmit është shkruar nga një dramaturge britanike dhe filmi vetë është i ndërtuar me një sërë rikthimesh në të shkuarën nga vetë Kryeministrja, në pozicionin aktual të saj pra atë të një sëmure dhe të gjitha kujtimet që ajo ka për të kaluarën e karrierës së saj janë kujtime të mbushura me keqardhje dhe pendime. Filmi çelet me një pamje të Theçerit që qëndron e ulur dhe e vetme në një dhomë të madhe në shtëpinë e saj në sfond të së cilës ka një zjarr të madh. Zonja e ulur plakë është melankolike, një figurë thuajse fantazmagorike bota e së cilës është shkërmoqur ashtu sikundër janë shkërmoqur edhe atësitë e saj mendore. Në skenar del se kjo grua shpesh zhvillon biseda të heshtura me bashkëshortin e saj të ndjerë, Sir Denis, me të cilin solli në jetë dy fëmijë dhe kaloi një jetë të tërë. Në fakt, duket sikur ish-kryeministrja nuk është e ndërgjegjshme se ai ka vdekur, por i bëhet se ajo vazhdon të jetojë dhe e ndien praninë e tij. Ndërsa filmi shpaloset dhe vijojnë edhe kujtimet dhe vlerësimet e saj për 11 vitet që qëndroi në pushtet në Britaninë e Madhe dhe për të gjitha ngjarjet kombëtare dhe ndërkombëtare që ndodhën gjatë kësaj periudhe si lufta e ishujve Flakland, bombardimi i Brajtonit, apo të gjitha vendimet e rëndësishme që iu deshën të merrte dhe që patën pasoja të ndryshme në jetën e vendit.

Në moshë të madhe duket se bindjet e dikurshme të politikanes së hekurt kanë ndryshuar dhe janë përfshirë nga dyshimet. Gjatë gjithë kohës mënyra se si është ndërtuar filmi të krijon përshtypjen dhe të përcjell mesazhin se si është transformuar figura dhe personi i Theçerit nga një njeri i fortë në një hije të vetes së saj dhe kjo jo për shkak të konsumimit që i ka bërë sëmundja, por për shkak të konsumimit që i kanë bërë dyshimet dhe ndjenjat e fajit për të shkuarën. Mesazhi që përshkon të gjithë filmin si një fill i vetëm është se: çmimi i pushtetit ka qenë kaq i lartë për zonjën Theçer saqë të bëjë që ditët e fundit të jetës ajo të mos i kalojë në paqe, por në frikë dhe në një gjendje ankthi të vazhdueshëm e frikësuar për ato që ka bërë kur ishte Kryeministre. çdolloj ndjenje triumfi në karrierën e saj, apo qoftë edhe madhështia historike e figurës së saj dhe e asaj që pretendohej se arriti nuk përshihet në skenar. Në një skenë të filmit ajo shfaqet me lot në sy ndërsa mendon nëse ishte me të vërtetë e nevojshme që të mbyste anijen argjentinase që mori jetën e 323 burrave gatë konfliktit të ishujve Falkland në vitin 1982?

Në një tjetër skenë është ajo duke sjellë ndër mend reformat e mëdha ekonomike që ndërmori me të ardhur në pushet dhe është duke kujtuar fillimin e tyre. Ishin reforma për realizimin e të cilave asaj iu desh që të përballej me shumë pakënaqësi dhe shqetësime për pasojat që do të kishin mbi kurrizin e miliona britanikëve. Ishin reforma që sot shumëkush mendon se sollën më shumë gjëra të këqija sesa të mira. Theçer në film rikujton gjithashtu edhe zërat e bashkëkohësve të saj kur ishte në fillimin e karrierës të cilët e pyesnin: “Po si kështu je duke braktisur fëmijët? A është me të vërtetë politika më e rëndësishme sesa mirërritja e fëmijëve?”. Duke zhvilluar këtë temë, filmi fokusohet kryesisht te marrëdhënia shumë e vështirë e Theçerit me të bijën e saj, Carol. Janë pjesë të filmit të cilat tregojnë se si ambicia e Theçer për të bërë karrierë politike nga ana tjetër i shkatërroi në mënyrë të pariparueshme lidhjet familjare e kryesisht ato me të bijën, duke shkaktuar çarje të pakorrigjueshme mes nënës dhe vajzës së saj.

Për ata që kanë marrë përsipër realizmin e këtij filmi situata nuk është aq e errët nga sa thuhet. Si është një film që bën një retrospektivë të një karriere politike nga vetë personazhi kryesor i ngjarjeve politike të Britanisë së Madhe në 11 vjet dhe gjatë kësaj retrospektive ka momente të mira, por ka edhe vrarje ndërgjegje për vendimet që nuk u morën drejtë dhe që patën pasoja të mëdha mbi shumë njerëz dhe ndoshta edhe fate popujsh. Ajo në fakt, është historia e çdo individi që në jetën e tij i është dashur të gjejë një balancë mes jetës private dhe asaj publike. Filmi, sipas krijuesve të tij, mund të jetë pak i ashpër apo i trajtuar nga një këndvështrim kritik, por do të jetë një film i kujdesshëm edhe në detajet më të vogla dhe mbi të gjitha një film i drejtë që nuk mban anë. Megjithatë këto pretendime vihen në pikëpyetje nga ata njerëz që e kanë njohur Theçerin, që i janë pranë sot dhe që kanë punuar së afërmi me të gjatë periudhës politike. Një nga veçoritë e krijuesve të filmit është se ata nuk kanë konsultuar për të thuajse asnjë nga njerëzit e afërm të ish-kryeministres duke përfshirë këtu dy fëmijët e saj, apo edhe biografin që do të botojë biografinë e baroneshës menjëherë pas vdekjes së saj, sipas një kontrate tashmë të bërë mes tyre.

Ideja për të bërë një film për jetën dhe karrierën politike të Theçerit kishte lindur në mendjen e drejtuesve të studios kinematografike “Pathe” që në vitin 2007. Në atë kohë, ideja fillestare ishte për një film që të përqendrohej në një nga momentet më delikate të qeverisjes së Theçerit, luftës së ishujve Falkland, madje 17 ditëve që i paraprinë kësaj lufte që ishin shumë decizive për të gjitha vendimet që u morën dhe për rrjedhën e ngjarjeve. Por që nga ajo kohë projekti ka pësuar ndryshime të vogla dhe ideja fillestare ndryshoi në atë të një filmi në të cilin të përfshiheshin reflektimet për ngjarjet më të rëndësishme në përgjithësi të karrierës. Fillimisht, bashkëpunimi u la që të bëhej edhe me BC, por më pas ndërsa doli se në film do të flitej edhe për ngjarje pak “djegëse” dhe nga një tjetër këndvështrim BBC vendosi që të mos merrte pjesë në bashkëprodhim. Në rolin e baroneshës është një aktore e shkëlqyer dhe me famë të madhe në botë, Meryl Streep, një demokrate e krahut të majtë që nuk ka ngurruar kurrë të shprehë hapur edhe pikëpamjet e saj politike në publik. Asaj vetë i pëlqen që të punojë me regjisorin e filmit me të cilin ka pasur edhe në të shkuarën bashkëpunime të ndryshme. Sipas atyre që ndodhen në brendi të këtij bashkëpunimi “Zonja e Hekurt” pra titulli aktual që ka filmi, pritet që të përsërisë suksesin që pati kohë më parë realizimi i filmit “Mbretëresha”, një film i realizuar në vitin 2006 në të cilin interpretonte edhe aktorja britanike, Helen Mirren, dhe që pati një sukses dhe një fitim shumë të madh në të gjithë botën.
Por ndërkohë, realizuesit janë të ndërgjegjshëm që mes të dy filmave ka diferenca thelbësore. Ndërsa filmi “Mbretëresha” jepte një portret të respektueshëm të Mbretëreshës së Anglisë duke e nxjerrë atë në një dritë pozitive pas ngjarjeve që pasuan vdekjen e Princeshës Diana në vitin 1997, filmi mbi ish-kryeministren ka si synim që të “varrosë” arritjet e saj dhe në këtë rast ta nxjerrë në një dritë të keqe.

Ndërsa për sa i përket skenaristes së filmit, ajo është bërë e famshme së fundi nga skenari i një drame prodhim i BBC “Martesa mbretërore”. Gjatë 30 viteve të fundit Margaret Theçer, ka qenë në qendër të vëmendjes së shumë dramave, librave dhe filmave nga më të ndryshimit duke qenë se gjithmonë personi i saj përbënte një kuriozitet dhe një risi. Vetëm dy vitet e kaluara pra në vitin 2008 dhe 2009 u bënë dy filma njëri i përqendruar në momentin e zgjedhjes së saj dhe ngjitjes së shkallëve të pushtetit dhe filmi tjetër i përqendruar në rënien e saj nga pushteti në vitin 1990. Por ajo çka këtë herë është bërë shkak për shqetësimin e të afërmve dhe ish-bashkëpunëtorëve të Theçerit është se filmi që pritet të fillojë xhirimet përdor shumë edhe situatën aktuale të shëndetit të Theçerit, pra sëmundjen e saj të rëndë që i ka shkaktuar probleme me kujtesën. Megjithatë si në rastin e vendimeve poetike të ndërmarra nga Theçer, ashtu edhe në rastin e suksesit që do të ketë, apo nuk do të ketë filmi, gjërat do të varen vetëm nga reagimi i publikut në kohë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›