Seanca gjyqësore për 21 janarin, dëgjohen dëshmitë

Zhvillohet seanca e radhës gjyqësore për ngjarjet e 21 janarit. Në këtë seancë në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës janë paraqitur 5 dëshmitarë të thirrur nga prokuroria për të dëshmuar mbi demonstratën ku mbetën të vdekur 4 protestues.
I pari që është thirrurr nga dëshmitarët ka qënë kryetari i komunës Frakull,të rrethit Fier Viktor Çervanaku. Çervanaku në dëshminë e tij përpara trupit gjyqësor tregoi se atë ditë kishte qënë pranë Faik Myrtës,në momentin e qëllimit të tij. Ai shkon me tej duke thënë se nëse kryetari i PS Edi Rama dhe grupi parlamentar i kësaj force politike duhet të ishin në krye të protestës atë ditë,e ndoshta demostrata nuk do të kishte prodhuar dhunë dhe do të kishtë përfunduar paqësisht. Çervanaku shtoi se atë ditë i ishte afruar derës së kryeministrisë për të marrë djalin e tij,pasi në momentin e rënies në tokë të Faik Myrtës u kuptua se po qëllohej me plumba të vërtetë.
Më pas është thirrur për të dëshmuar Vehbi Shkjau, kryetari i PS në komunën Bushat të Shkodrës,i plagosur me plumb manovër në këtë demostratë. Ai tregoi për gjykatën se në 21 janar i ishte përgjigjur thirrjes së PS, për të protestuar në Tiranë dhe se turma ishte provokuar disa herë nga policia atë ditë. Në gjyq ishin thirrur për të dëshmuar edhe tre efektivë të gardës së republikës Mark Ndoj, Ndriçim Mara dhe Agron Malaj,të cilët shprehen se garda ka respektuar ligjin dhe atyre atë ditë u është dashur të përballen me sulmin e turmës.