E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik me bekimin e priftit

At Mihal Shuli, prifti i Karavastasë, ishte një ndër 12 personat e arrestuar për trafik qeniesh njerëzore e falsifikim dokumentesh e vulash. Shërbëtori i Perëndisë dyshohet se gjente dhe transportonte klandestinë për 800 euro. Arrestohet i dehur

Trafik klandestinësh me bekimin e priftit. Nuk ka qenë një gjetje nga trafikantët besëtytë, për të hequr “syrin e keq” a për t’u shpëtuar prangave të policisë, por një mënyrë e vërtetë funksionimi e një grupi trafikantësh klandestinë, me shtrirje rrjeti nga Tirana, Korça, Lushnja e Vlora. Dymbëdhjetë persona, mes të cilëve edhe prifti ortodoks i Karavastasë, si dhe tre punonjës të Policisë Kufitare të Kapshticës ranë në prangat e policisë, pasi janë të dyshuar për një sërë veprash penale që janë kryer në kuadër të trafikimit të klandestinëve në drejtim të Greqisë.

Implikimi i priftit

Padyshim që të mësosh se një shërbëtor i Perëndisë ka qenë i përfshirë në mëkatet ligjore të njerëzve, nuk bën shpesh vaki në vendin tonë. Por prifti i Karavastasë, i quajtur Mihal Shuli, jo vetëm që nuk ka pasur rolin e tij “natyror” të njeriut të veshur me rasën e priftit dhe jo vetëm që nuk jepte “bekimin” për rrugëtimin e grupeve të klandestinëve, por shkonte dhe shumë më përtej. Burimet zyrtare policore sqarojnë se 47-vjeçari Shuli kishte rolin e tij në rrjet, pasi ai gjente klientë, bile në jo pak raste edhe i përcillte në këmbim të përfitimit të 800 eurove deri në skajin juglindor të vendit, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Prej aty bëhej dhe kalimi i klandestinëve në drejtim të Greqisë. Po të njëjtat burime sqarojnë se At Mihal Shuli kishte të paktën 2 deri në 3 vjet që ishte pjesë aktive e rrjetit të trafikantëve të klandestinëve, të cilëve iu merrnin nga 2000 deri në 3000 euro për të kaluar “të sigurt” në tokën helene. Sidoqoftë, “torta e parave” ndahej minimalisht në 11 “copa”, të tjerë mes të cilëve dyshohet se kishte edhe punonjës policie.

Arrestimi

Prej pak kohësh Mihal Shuli ishte vënë nën shënjestrën e policisë dhe po mbahej nën vëzhgim. Në orët e vona të ditës së enjte, At Mihali mësohet se ka qenë duke udhëtuar përgjatë aksit rrugor Berat-Lushnjë, kur i është bërë shenjë për të ndaluar. Përveç surprizës që i është bërë priftit ortodoks, për të cilin ka dyshime se është i përfshirë në trafikun e klandestinëve, ka pasur dhe një surprizë të vockël edhe për uniformat blu... At Mihali, megjithëse është ndaluar dy ditë më parë, vetëm dje e ka marrë vesh se një natë më parë kishte përfunduar në pranga. Mihal Shuli mësohet se u gjet në gjendje mjaft të dehur nga ana e policisë në momentin e ndalimit, sa vetëm disa orë gjumë e kanë ftilluar se tashmë gjendej në qeli dhe se në vend të ndonjë kolegu të tij prift, tashmë mëkatet ligjore do t’i duhet t’i rrëfejë para grupit hetimor, i cili po merret me zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›