Sefgjini di gjithçka

-Zoti Hoxha, avokati i Arben Sefgjinit (për këtë ju mendoni se është përgjegjës për zhdukjen e vëllait tuaj), thotë se rihapja e çështjes është politike, për shkak të përfshirjes së saj (politikës) me Prokurorinë e Përgjithshme. A është vërtet politik ky problem në këtë gjykim, apo kërkoni që medoemos ta sqarojë drejtësia?
Nexhmedin Hoxha: “Po, në mënyrë absolute duket qartë se drejtësia pengohet pikërisht nga politika. Jo sepse është çështje politike, por sepse politika gjithmonë e ka penguar dhe akoma vazhdon ta pengojë. Derisa faktet qëndrojnë dhe një nga të akuzuarit pranon se e ka prangosur Remziun, tani gjithçka është e qartë se ky prolongim (zgjatje, zvarritje), është pengesë nga politika”.
-Zoti Hoxha, për t’u shtyrë më tej në këtë bisedë, drejtori i Përgjithshëm i Tatime sot në Shqipëri, në funksionin e ish-kryetarit të SHIK-ut në Tiranë, thotë se nuk ka shkresa që ta vërtetojnë këtë rast. Të paktën kështu e ka cituar Sefgjinin ish-kryetari i SHIK-ut, Fatos Klosi. A besoni se zoti Sefgjini e ka drejtpërdrejt përgjegjësinë për këtë?
“Siç ka ndodhur me Avni Koldashin, i cili ka pasur urdhra (i cili vetëdeklaron se e ka urdhëruar Segjini), nuk ka mundësi që Sefgjini të mos e njohë Remziun. Një kjo. E dyta, e njëjta gjë ndodh edhe me Sefgjinin. Derisa ai nuk do që të tregojë emrat sesi ka qenë dhe nga ka ardhur ky urdhër, edhe ai duket qartë se mbrohet nga politika dhe nuk spostohet nga detyra, e po ashtu vazhdon që të mbajë qëndrimin e tij se ai nuk e njeh Remziun. Por këtu ka rol gjyqi, drejtësia, prokuroria drejtpërdrejt. 102 dëshmitarë presin në radhë për të deklaruar se ato thjesht janë gënjeshtra dhe se duhet të ecë puna e gjyqësisë, e drejtësisë. Faktet janë të shumta. Ne tani nuk presim që të zgjidhet nesër ky problem, por shohim se ata duan t’i japin një epilog kësaj çështjeje. Se kush do të futet në burg e si do të futet ne nuk e çajmë kokën. Nuk kemi padi civile as ndaj Sefgjinit, as ndaj ndonjë personi, por kemi ndaj institucionit, i cili është keqpërdorur. Tani duket qartë se, si ka mundësi që pas 13 vitesh, kur dihet se Remziu është marrë nga organet shtetërore, përderisa dokumentet që posedon janë dokumente shtetërore, me vula shtetërore, ka rrena, komplet rrena, që kanë ndodhur 8 vite me radhë. Kemi një hall ne: kemi dokumente 8 vite me radhë që jemi të tradhtuar, që janë me vula shtetërore. Kemi edhe një fakt tjetër, i cili është se vetë Avni Koldashi thotë se “unë e kam prangosur Remzi Hoxhën, për të cilin kam pasur urdhra dhe nuk duhet të akuzohem si kriminel, por duhet të lirohem”.
-A keni ju dijeni, se vëllai juaj ka ardhur në Tiranë pas keqtrajtimit në Vain të Lezhës?
“Po, ashtu, në Vain të Lezhës. Sigurisht që unë kam takuar edhe rojën e asaj kohe të burgut sekret, i cili ka deklaruar se “katër ditë me radhë (Remziu) është maltretuar aty dhe në ditën e pestë, kur vajta në punë, nuk e takova më”. Kjo është deklarata e tij, i cili është edhe njëri nga dëshmitarët që do të ftohet në gjyq dhe që tregon se kush ka qenë i punësuar, kush është marrë me maltretimet fizike dhe kështu me radhë. Janë dëshmi të shumta, për të cilat unë shoh një pengesë, siç është se do të zgjasë në kohë, prolongim i çështjeve, që shtyhen gjykimet kot më kot, përderisa ne thjesht nga shteti nuk kërkojmë as padi ndaj personave, por kërkojmë vetëm varrin ta tregojnë ku është. Se kush do të futet në burg, nuk na intereson aspak”.
-Në bazën e informacioneve që ju keni mbledhur deri tani, mbi bazën edhe të kësaj që sapo më thatë, se keni biseduar me rojn e burgut, a shkon ky informacion në ndonjë fakt që Remzi Hoxha ka ardhur në Tiranë më mbrapa keqtrajtimit në Lezhë, pra po mendoj i gjallë apo pa frymë? E keni një informacion të tillë?
“Tani, sipas të gjitha gjasave, sepse edhe dëshmitë që kemi ne bëjmë durim që të mos dalin në opinion (për të moskeqpërdorur apo për shkaqe të tjera), të gjitha këto dëshmi na çojnë që Remzi Hoxha është keqtrajtuar, u ka mbetur në dorë dhe është hedhur në një gropë diku. Pastaj 8 vite me radhë jemi tradhtuar, kemi marrë gënjeshtra se ai person nuk është marrë fare nga shërbimi, nga SHIK-u dhe se nuk kanë dijeni personat. Por këtë e thotë vetë edhe ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi. Kur e thotë një person më i lartë i institucionit, që është policia sekrete, çfarë duhet të them unë si i dëmtuar?! Unë kam plot bindje, se ka shumë argumente, ka shumë dëshmitarë, të cilët do të tregojnë drejtpërdrejt sesi ka ndodhur. Kemi dëshmitarë të keqtrajtuar, siç është Avdyl Loshaj, kosovari, siç është Ziso Kristopulli. Drejtpërdrejt përputhen të gjithë emrat dhe personat, të cilët kanë qenë të implikuar edhe për çështjen e Remziut”.