PS: Pas 18 marsit, protesta në të gjithë Shqipërinë

Rama e Ruçi zhvilluan dje takime me krerë të partisë në bazë dhe më pas me deputetë, për rifillimin e protestave
TIRANË - Gjendja e rëndë ekonomike, faturat e ekzagjeruara të energjisë elektrike, rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, por pa lënë pas edhe hapjen e kutive, do të jenë arsyet kryesore, për të cilat opozita do të protestojë në fund të këtij muaji.
Nuk bëhet më fjalë për paralajmërime pa fund, pasi tashmë Partia Socialiste si forca kryesore opozitare ka nisur përgatitjet për nisjen e një vale të re protestash në të gjithë vendin që pritet të fillojnë pas datës 18 mars, kur është lënë për tu mbajtur seanca plenare për të diskutuar mbi dy kërkesat e socialistëve, në thelb të të cilave është lejimi i hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Për këtë qëllim, drejtuesit më të lartë të selisë rozë kanë zhvilluar dje një sërë takimesh fillimisht me krerë të partisë në bazë dhe më pas me deputetë nga qarqe të ndryshme të vendit, ku është diskutuar mbi situatën politike dhe janë dhënë udhëzime për organizimin e reagimit qytetar në mitingjeve.
Pasi ka pritur në zyrën e tij në bashki, drejtuesit socialistë të pushtetit vendor, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe kreu i Asamblesë Kombëtare dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar socialistë, Gramoz Ruçi, kanë pritur në selinë rozë disa nga drejtuesit e partisë në rrethe dhe një pjesë të mirë të deputetëve nga zona të ndryshme zgjedhore, me të cilët kanë biseduar lidhur me hapat e mëtejshme politike që duhet të hedhin, qoftë për sa i përket aspektit të hetimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për gjendjen ekonomike që po rëndon gjithnjë e më tepër në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se gjatë takimeve të zhvilluara është evidentuar nevoja për të hedhur hapa të matur në raport me marrëdhëniet me mazhorancën, për të mos krijuar pakënaqësi apo zhgënjim tek mbështetësit.
Për pasojë është parë e arsyeshme që strukturat në bazë të marrin të gjitha masat për të krijuar terrenin e duhur për organizimin e protestave, menjëherë pasi të testohet vullneti i shumicës qeverisëse për të zgjidhur krizën politike, që, sipas socialistëve, është bërë shkak edhe për krijimin e një krize të thellë ekonomike që çdo ditë e më shumë po rëndon xhepat e shqiptarëve.
Kështu, drejtuesit vendor dhe deputetët janë porositur ndërmjet të tjerave që të mbajnë të ndezur tek mbështetësit e tyre ndjenjën e revoltës dhe t'i karikojnë ata me pasojat që ka sjellë kriza, në mënyrë që të jenë gati në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaj për të protestuar. Ishte kryetari socialist, Edi Rama, ai që dy ditë më parë duke iu referuar çmimeve të rritura të energjisë paralajmëroi protesta qytetare në gjithë vendin.
Mësohet se protestat do të organizohen fillimisht në rrethe dhe për të kulmuar sërish në Tiranë. Ndërkohë që për të shpjeguar arsyet e protestave kreu socialist ka vijuar dje në qytetin e Beratit takimet me panelin e gazetarëve.