Ryerson: Piramida, monument i njeriut të tmerrshëm
Disa muaj pas fillimit te levizjes demokratike, ne Shqiperi shkoi perfaqesuesi i Shteteve te Bashkuara ne vend, me pas ambasadori i pare amerikan pas komunizmit, William Ryerson
Si u pritën në Shtetet e Bashkuara fillimet e lëvizjes demokratike të Shqipërisë 20 vjet më parë?
Nuk besoj se ato u vunë re nga shumë njerëz, përveçse në Departamentin e Shtetit, ku njerëzit interesoheshin më tepër për Ballkanin në përgjithësi. Dihej shumë pak për Shqipërinë, ajo ishte si një pikë e bardhë në hartë. Dhe e kam thënë edhe më parë, se për sa i përket politikës së jashtme amerikane, Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie; nëse Shqipëria do të ishte zhdukur në valët e detit ndoshta do të shqetësoheshin; ndoshta vetëm si një vend në kufi me Kosovën. Kjo është e pakëndshme të thuhet, por është e vërtetë. Në marrëdhëniet tona me jashtë Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie.
Ju shkuat fillimisht në Shqipëri në prill të vitit 1991, në një kohë të vështirë, cilat ishin përshtypjet e para që patët?
Unë shkova fillimisht për një mision 30-60 ditësh, me funksionin e pranisë amerikane atje. Pas asaj që ndodhi më 2 prill në Shkodër, fillimisht unë u trondita nga masakra, pastaj nga varfëria, nga pisllëku, njerëz të veshur keq, të paushqyer mirë. Kujtoj një ushtar të ri, të gjatë, që ecte në bulevard dhe që kishte një pallto që nuk ishte për trupin e tij, me palën të grisur. Pashë një vetëshërbim afër sheshit “Skënderbej” dhe mendova: “Ndoshta mund të shkoj e të ha mëngjes”. U afrova dhe ndjeva një erë të keqe. Dhe ky ishte kryeqyteti. Mendoni se si mund të ishte periferia.
Ju keni qenë diplomat karriere dhe keni pasur rastin të vizitoni një numër vendesh. Ishte Shqipëria ndryshe nga këto vende që ju i kishit vizituar më parë?
Pyetja që i bëra vetes ishte: “A jam në Evropë?” Unë kisha shërbyer kryesisht në Evropë dhe nuk kisha parë shumë vende të tjera, me përjashtim të disa vizitave 1-javore në Najrobi dhe Nju Delhi, pra nuk kisha parë shumë vende të varfra të botës. Prandaj i bëra pyetjen vetes: “A është këtu Evropë?” Po, ishte.
Kur erdhi Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, në qershor të vitit 1991 në Shqipëri, atij iu bë një pritje madhështore nga populli shqiptar, kujtoj mitingun e Tiranës, ku ishit dhe ju i pranishëm. A e prisnit ju një pritje të tillë apo ishte ajo një surprizë për ju dhe për zotin Baker?
Më tepër ishte surprizë për Sekretarin Baker, sesa për mua, se unë e nuhasja se ç’do të ndodhte. Unë fillimisht isha i shqetësuar për gjendjen e sigurisë. Chris (Hill) erdhi dhe na çuan në një miting në Kavajë. Unë shkoja çdo ditë tek sindikata dhe thosha: “Më falni, nëse këta bastardë do t’i dëmtojnë këta njerëz, bota do ta marr vesh dhe ata do të duhet të më vrasin mua” (gjykimi im ishte se nuk do të më vrisnin) dhe më thanë: “Mos u shqetëso zoti Ryerson, trenat punojnë dhe ne do të sjellim njerëz” dhe atëherë mendova: “Ka për të qenë e madhe”. Nuk e prisja të kishte kaq shumë njerëz. Unë kam qenë gjatë vizitës së J. F. Kennedyt në Berlin, isha me shërbim, isha i ri atëherë; ishte e njëjta gjendje emocionale. James Baker u çudit dhe madje u befasua. Kujtoj fjalimin e tij. Një politikan shumë i lartë që ishte në podium me Bakerin, tha pasi foli Bakeri, se ishte hera e parë në jetën e tij që ai ndjeu se mund të flitej lirshëm në vend. Ai punonte në Komitetin Qendror. Efekti ishte si një vetëtimë dhe i dha energji situatës.
Ju keni qenë ambasador i SHBA-së në Shqipëri nga viti 1991 deri në 1994. Cilat janë disa nga ngjarjet që ju kanë lënë më tepër mbresë?
Dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara. Më kanë pyetur vazhdimisht: “A ishte e vështirë puna në Shqipëri?”, por unë them: “Jo, nuk ishte, të paktën nuk ishte për mua”. Unë u bëra objekti i kësaj dashurie për Amerikën, që nuk ishte për mua personalisht, por unë isha përfaqësuesi i saj, prandaj shfaqej ndaj meje. Pashë një përparim shumë të madh, me zgjedhjet e marsit 1992, të cilat ishin të parat zgjedhje të drejta dhe të lira në Shqipëri. Ato të 1991-shit nuk ishin as të lira, as të drejta, pavarësisht se si i cilësuan ato disa evropianë. Mbaj mend kur Presidenti Berisha bisedoi në telefon me Presidentin George Bush në Shtëpinë e Bardhë, ishte një moment i veçantë. Më kanë lënë mbresë individët që kam takuar gjatë qëndrimit tim atje dhe u habita së tepërmi se sa i njohur isha. Në fillim ishte pak e vështirë. Kur mora në telefon Shefin e Zyrës së Protokollit ditën që arrita në prill, i thashë: “Pres me kënaqësi ditën kur të shkoj në Parlament, për të dëgjuar debatin” dhe ai më tha: “Jo nuk mund të shkosh!” “Si nuk mund të shkoj? - i thashë, - në Uashington mund të shkosh në Kongres dhe të dëgjosh seancat". Atëherë i thashë: “Unë protestoj, qeveria ime proteston”. Atë pasdite takova Gramoz Pashkon dhe ai më tha: “Jam i sigurt që nesër do të jesh në Parlament”. Unë i thashë se do të doja shumë. Ai më tha: “Do të shohim nëse kemi me të vërtetë një Parlament të lirë apo jo”. Të nesërmen në mëngjes më morën në telefon dhe më thanë: “Mund të vish në Parlament dhe të marrësh me vete edhe përkthyesen”. Dhe më falënderuan shumë diplomatë të tjerë në Tiranë, që nuk kishin mundur të hynin në parë në Parlament.
Dhe që atëherë ju shkonit rregullisht në Parlamentin e Shqipërisë…
Unë shkoja atje në çdo kohë. Haja drekë dhe darkë te “Dajti” shpesh dhe prej andej shkoja...
Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, në pritje të një ftese për anëtarësim në BE. Megjithatë, atje vazhdon të këtë një politikë konflikualiteti, ju si i përjetoni këto zhvillime?
...Jam në dijeni, që është një gjendje kofliktuale. Por aktualisht edhe ne në Amerikë nuk po ofrojmë një shembull më të mirë. Ne këtu duhet të kemi një bashkëpunim më të madh se sa kemi tani. Është diçka e mrekullueshme që Shqipëria është në NATO. Po të ma kishit thënë këtë në vitin 1990, do t’ju thosha: “Jeni e droguar?” E vetmja gjë që më vjen keq është që Safet Zhulali nuk arriti ta shikonte këtë, sepse ajo ishte ëndrra e tij. Mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë se para së gjithash, është një ekspozim më i madh ndaj Perëndimit dhe drejt BE-së. Shqipëria ka nevojë të bëjë më tepër brenda vendit për ta bërë këtë hap. Refuzimi i kohëve të fundit ishte një vendim shumë i ashpër. Një fillim i mirë për këtë mendoj se do të ishte një demokratizim i plotë brenda Partisë Demokratike. Ju e dini që unë e kam mbështetur Partinë Demokratike. Por mendoj se ajo duhet të ketë demokraci brenda radhëve të saj. Një njeri, një votë, votim i fshehtë. Kështu mund të ecet përpara. Ndoshta edhe partitë e tjera do ta pasojnë atë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë.
Shpesh thuhet se Shqipëria po përjeton një tranzicion të zgjatur. Sipas jush, çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë në Shqipëri gjatë këtyre viteve?
Nuk është për t’u çuditur. Ju e dini, ju keni qenë atje, e dini si ka qenë vendi më parë. Çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Ndoshta një mundësi mund të kishte qenë të hapeshin të gjitha dosjet. Kjo kishte rreziqet e veta, siç pati thënë i ndjeri Pjetër Arbnori: "Po sikur të mësosh se kunata të ka spiunuar tek Sigurimi? Ndoshta Sigurimi e ka frikësuar dhe ajo mund të jetë detyruar të ketë thënë se ke qenë spiun". Sigurimi po ashtu, mund të ketë sajuar dosje të kësaj natyre. Kjo kishte rreziqet e veta dhe nuk mendoj se dikush nga jashtë do të gjykonte mirë se çfarë rruge duhej ndjekur.
E kam fjalën tek korrupsioni, p.sh. korrupsioni i lartë që thuhet se ka tek radhët e zyrtarëve. Chris Hill dhe unë shpesh thoshim: Perandoria Otomane i ka rrënjët të thella në Ballkan. Kjo është e lehtë të thuhet. Ajo që nevojitet, sipas meje, është që gjykatat të jenë plotësisht të pavarura. Nevojiten gjykatës të mirë, të cilët të jenë të ndershëm dhe kjo nuk është e lehtë, sepse edhe ndaj tyre ushtrohet presion. Shqipëria është një vend i vogël. Të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Kjo është shumë e vështirë të realizohet. Por Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.
A keni ndërmend të shkoni një ditë në Shqipëri?
Kam thënë se po. Dua të jem atje për 100-vjetorin e pavarësisë në vitin 2012. Dhe ndoshta deri atëherë, ndërtesa e Parlamentit do të jetë dhe duhet të tjetër në bulevard dhe monumenti i atij njeriu të tmerrshëm që njihet si Piramida, do të jetë hequr. Mendoj se ajo nuk është aspak funksionale edhe nga brenda, një tendë gjigande prej guri, e pakuptimtë.